Shakira kritikon politikat e emigracionit të Trump: Duhet të ngremë zërin

Shakira ka reaguar publikisht kundër masave të emigracionit të ndërmarra nga presidenti amerikan Donald Trump, duke u bërë pjesë e një vale protestash që kanë marrë hov në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Arsyeja që e riktheu këtë çështje në vëmendjen e saj ishte shtyrja e koncertit që ajo kishte planifikuar të mbante më 20 qershor në SoFi Stadium të Los Angeles-it, i cili është zhvendosur për më 4 gusht.
Në një intervistë të dhënë për BBC News, këngëtarja kolumbiane shprehu shqetësimin e saj të thellë për ndikimin që politikat e ashpra të emigracionit kanë tek komunitetet që nuk janë të lindur në ShBA.

Ajo deklaroi se masat e marra nga Trump nxisin frikë dhe pasiguri tek njerëzit: “Do të thotë të jetosh në frikë të vazhdueshme. Dhe kjo është e dhimbshme për t’u parë. Duhet të ngremë zërin tonë”, u shpreh Shakira.
Theksoi se tani më shumë se kurrë është e nevojshme që qytetarët të qëndrojnë të bashkuar dhe të veprojnë përballë padrejtësive: “Duhet të bëjmë të qartë se një vend mund të ndryshojë politikat e tij për emigracionin, por trajtimi ndaj njerëzve duhet të mbetet gjithmonë njerëzor”.
Për më tepër, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve ‘Grammy’ këtë vit, Shakira ia ka dedikuar çmimin të gjithë emigrantëve që jetojnë në ShBA.
Mesazhi i saj ishte i fuqishëm dhe përkrahës: “Dua t’ia kushtoj këtë çmim të gjithë motrave dhe vëllezërve të mi emigrantë në këtë vend. Jeni të dashur, keni vlerë dhe unë do të jem gjithmonë në krahun tuaj”.
Ndërkohë, pas ndryshimeve të fundit në agjendën e saj muzikore, dhe në pritje të njoftimeve zyrtare për datat e turneut evropian, janë bërë publike koncertet e radhës që Shakira do të mbajë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Peru. /Telegrafi/




























































