Pedagogu special dhe trajneri për arsimin gjithëpërfshirës, Arben Zabeli, ka folur hapur për sfidat dhe boshllëqet në sistemin arsimor të Kosovës lidhur me përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, Zabeli vuri në pah mangësitë strukturore dhe praktike që përballen çdo ditë mësimdhënësit dhe nxënësit me nevoja të veçanta në institucionet arsimore të vendit.




“Realisht ka vështirësi të mëdha, duke filluar nga përgatitja e mësimdhënësve, terreni, vizitat, trajnime të ndryshme dhe puna që më ka rastisë në të gjitha komunat”, u shpreh Zabeli.

Ai theksoi se në shumë komuna mungojnë trajnimet bazike për arsimin gjithëpërfshirës, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e përkrahjes që marrin nxënësit me nevoja të veçanta.

Sipas tij, shumë shkolla nuk janë të njohura me konceptin e planit individual të zhvillimit, një dokument kyç për përshtatjen e mësimdhënies sipas nevojave të secilit nxënës.

“Jam edhe trajner dhe më rastisë në shumë shkolla që nuk e dinë as konceptin e planit individual, që është një dokument shumë i rëndësishëm për pranimin e nxënësve me nevoja të veçanta”, shtoi Zabeli.

Një tjetër shqetësim madhor që ai ngriti ishte mungesa e vlerësimeve pedagogjike, një proces thelbësor për identifikimin dhe kategorizimin zyrtar të nevojave të veçanta të nxënësve.

“Me rregullat, me udhëzimet administrative dhe me ligjet e Kosovës, asnjë nxënës nuk mund të quhet me nevoja të veçanta arsimore nëse nuk është i vlerësuar nga ekipet komunale për vlerësim”, shpjegoi ai.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com