Site icon Telegrafi

Sëmundja misterioze vazhdon të brengosë diplomatët amerikanë, Pompeo thotë se akoma po hetojnë shkakun e “Sindromës Havana”

Shtetet e Bashkuara akoma janë duke hetuar shkakun sesi dhjetëra punonjës të qeverisë amerikane në Kinë dhe Kubë u prekën nga një sëmundje misterioze, ka bërë të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shkruan Reuters.

Mbi 40 punonjës amerikanë ishin prekur nga kjo sëmundje misterioze nga fundi i vitit 2016 e deri më 2018, që me kalimin e kohës u njoh si “Sindroma Havana”, transmeton Telegrafi.

Duke folur gjatë një konference për media në Departamentin e Shtetit, Pompeo tha se qeveria amerikane është e përkushtuar në zgjidhjen e misterit, por deri më tani nuk ka pasur një analizë të kompletuar, vetëm teori se si ka ndodhur incidenti.

“Kemi bërë shumë punë duke u munduar të identifikojmë se si gjithçka ndodhi dhe akoma po mundohemi me saktësi të përcaktojmë shkakun e kësaj – të njëjtën kohë po të bëjmë më të mirën që të kujdesemi për shëndetin dhe sigurinë e këtyre njerëzve”, ka shtuar Pompeo.

Dhjetëra punonjës të qeverisë amerikanë në Kubë gjatë vitit 2017 kishin simptoma si probleme me dëgjim, ushtimë në veshë, marramendje, kokëdhembje e plogështi.

Departamenti amerikan i Shteti në qershor të vitit 2018 pati njoftuar se ka kthyer në shtëpi disa diplomatë që kanë shërbyer  në Guangzhou të Kinës, nga brenga se mund të jenë duke vuajtur nga simptoma të ngjashme.

Ky incident kishte nxitur reagime dhe kritika të ashpra në drejtim të presidentit amerikan Donald Trump, se diplomatët amerikanë janë sulmuar nga një lloj i një arme të fshehtë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version