Sekretari amerikan i Mbrojtjes akuzohet për "mashtrim" lidhur me ndihmat ushtarake për Ukrainën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka ndaluar të martën një dërgesë armësh për Ukrainën, pavarësisht se vlerësimet e brendshme treguan se kjo ndihmë nuk do të dëmtonte gatishmërinë ushtarake të SHBA-së.
Fillimisht, zyrtarët thanë se ndihma - e cila përfshinte sisteme të mbrojtjes ajrore dhe municione kritike - u pezullua për shkak të rezervave të ulëta në vend.
Por, ligjvënësi demokrat Adam Smith tha se kjo ishte një justifikim mashtrues nga Pentagoni.
Sipas tij, arsyeja e vërtetë duket të jetë një agjendë e fshehtë për të ndërprerë ndihmën amerikane për Ukrainën.
"Nuk jemi në një pikë më të ulët, sa i përket rezervave, sesa kemi qenë gjatë këtyre tre vjetëve e gjysmë të konfliktit në Ukrainë," tha ai për NBC News.
Smith shtoi se stafi i tij kishte parë të dhënat dhe, pa dhënë detaje, nuk kishte asnjë tregues për mungesa që do të justifikonin pezullimin e ndihmës.
Sipas tre ndihmësve të Kongresit dhe një ish-zyrtari amerikan të njohur me çështjen, vendimi për të ndaluar dërgesën ishte marrë në mënyrë të njëanshme nga Hegseth.
Ky është rasti i tretë kur Hegseth ndalon ndihmën për Ukrainën në mënyrë të pavarur, sipas burimeve. Në dy rastet e mëparshme - në shkurt dhe maj - vendimet e tij u anuluan disa ditë më vonë. /Telegrafi/




































