Trajneri Gani Sejdiu në një intervistë për gazetaolle.com, flet për ndeshjet në fjalë, dhe, lojtarët që sipas tij po kalojnë nëpër një krizë.

Në ndeshjet e fundit jeni ankuar goxha shumë. Çka po ndodhë me Feronikelin?


Sejdiu: Nuk mund të them se jam ankuar. Ndoshta jam keqkuptuar.

Më bëri përshtypje një fjali në deklaratën pas ndeshjes me Hajvalinë, ku thatë se dikush duhet të japë përgjegjësi. Për kënd e keni fjalën?

Sejdiu: Në dy ndeshjet e fundit kemi pësuar humbje, por normalisht se edhe ne humbim dhe e kemi ditur se një ditë do të humbim. Në Gjilan mesfushori (Ibrahim Peci) i’a fali topin kundërshtarit dhe pësuam gol. Ndaj Hajvalisë gaboi portieri (Granit Kolshi). Te portieri e kemi patur pikën më të fortë. Duhet të jemi konkret në disa situata. Tash e gjashtë xhiro jemi duke i bërë gabimet e njëjta. Kolshi e ka mbështetjen tonë edhe pse ka gabuar dje. Ai është një ndër portierët më të mirë në Kosovë. Mund të jetë një krizë e vogël e portierit. Mos harroni se edhe Messi ka kaluar nëpër kriza. Unë kam besim të plotë në të. Edhe diçka, unë nuk dal kurrë kundër lojtarëve. Unë jam përkrahësi më i madh i tyre. Kjo është ajo që kam dashur të them sa i përket përgjegjësisë që po thoni ju.

Kaloi një ditë nga humbja me Hajvalinë. Hiq deklaratën pas ndeshjes keni diçka për të shtuar?

Sejdiu: Duhet të reagojmë diçka, do të bëjë disa ndryshime, por të vogla. E kemi mungesën e Behar Maliqit që po ndikon. Duhet të vazhdojmë të punojmë.

A po përdoret termi ‘krizë’ në skuadër?

Sejdiu: Në dy ndeshjet ku humbëm, ne kemi dominuar. Humbjet kanë qenë aksidentale. Disa lojtarë duhet të jenë të koncentruar pasi që disa detaje i vendosin ndeshjet.

Edhe një pyetje po më sillet nëpër kokë. A është ky apo Feronikeli i vitit të kaluar më i fortë?

Sejdiu: Ne kemi transferuar elemente të mira. Ka shkuar Bujar Shabani, e kemi marrë Ibrahim Pecin që pe zëvendëson super. Mentor Zhdrella po punon shumë mirë dhe në çdo lojë po përmirësohet. E ka motivin në nivelin më të lartë. Do të befasoheni dita-ditës me performacën e tij. Është edhe në nivelin e duhur fizik. Mund të them se edhe largimi i Xhevdet Shabanit na ka dëmtuar. Ka ardhur Mevlan Zeka që po përmirësohet.

Atherë, ku po çalon ekipi?

Sejdiu: Duhet të përforcohemi në sulm, me qenë ekip që mos t’ia lëmë rastin asnjë takimi. Tashmë jemi kampion në fuqi dhe skuadrat po na shikojnë ndryshe. Do të mundohemi ta mbajmë këtë nivel, pra vendin e parë, dytë ose tretë.

Diçka për fund?

Sejdiu: Humbjet kanë qenë aksidentale, nuk ka vend për shqetësim. Unë jam i kënaqur me gjithçka në klub, me angazhimin me disiplinën dhe atmosferën. Unë qëndroj prapa lojtarëve dhe përgjegjësinë e marrë vetëm unë. Nuk guxon askush të bëjë me gisht nga lojtarët e mi.
 

telegrafi sport app