Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, është bërë të premten nënë për herë të parë.
Ajo ka sjell në jetë një djalë, të cilin e ka pagëzuar me emrin Julian.
Lajmin e ka bërë të ditur kolegia e saj, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, përmes fotografie të publikuar në rrjetin social Facebook.
“Forca e jetës. E lumtur pa masë me lajmin për lindjen e djalit të kolegës, shoqes dhe Nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci. Saranda dhe parneri i saj Matias, dje u bënë prindër të djalit, Julianit, i cili ka lindur me shëndet të mirë. Mami dhe bebja janë shumë mirë, ndërsa ne jemi të mbushur me shpresë e gëzim për forcën dhe guximin e Sarandës për t’i dhënë jetës një kuptim të ri me plot dashuri për të ardhmen”, ka shkruar Kusari-Lila.
Saranda Bogujevci është e njohur si deputete aq sa edhe për historinë e saj të trishtë të luftës, pasi është e mbijetuar e një familje e cila ka përjetuar masakër nga forcat serbe në vitin 1999. /Telegrafi/