Emri i saj ka qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale javët e fundit, dhe me të drejtë.

Sara Payman, artistja me origjinë iraniane që flet dhe këndon në shqip në mënyrë të shkëlqyer, ka fituar simpatinë dhe admirimin e publikut shqiptar me dashurinë e saj të sinqertë për kulturën tonë.


E ftuar së fundmi në spektaklin “Yjet Shqiptarë të Diasporës”, Sara solli një interpretim të jashtëzakonshëm të serenatës korçare “Të të them je lule”, duke rrëmbyer jo vetëm duartrokitjet e publikut, por edhe lavdërimet e jurisë, e cila u shpreh e mahnitur nga thellësia emocionale, zëri i saj i ëmbël dhe shqiptimi perfekt i gjuhës shqipe.

Për shumë vetë, ishte befasuese të dëgjojnë një të huaj, dhe aq më tepër nga Irani, të këndojë me aq përkushtim dhe pasion një nga perlat e trashëgimisë sonë muzikore.

Por, për ata që e ndjekin Sarën prej kohësh në rrjetet sociale, kjo është thjesht vazhdim i një rruge që ajo ka nisur me dashuri – duke mësuar shqip, duke kënduar këngë shqiptare, dhe duke treguar me krenari lidhjen e saj shpirtërore me vendin tonë.

Sara Payman është shembulli i bukur se si kultura shqiptare mund të frymëzojë edhe përtej kufijve.

Me një zë të ëmbël, shpirt artistik dhe përkushtim të sinqertë ndaj gjuhës dhe muzikës shqiptare, ajo po bëhet një ambasadore e vërtetë e artit shqiptar në botë. Dhe duket se kjo është vetëm fillimi. /Telegrafi/