Site icon Telegrafi

Sanksionet ekonomike ndaj Rusisë – bëhen efektive shumë masa, përfshirë ndalimin nga SWIFT-i

Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore, për të hequr disa banka ruse nga sistemi i pagesave SWIFT, janë bërë efektive gjatë fundjavës.

Dy ditë pas fillimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Shtëpia e Bardhë lajmëroi se së bashku me vendet e Bashkimit Evropian dhe Kanadanë, do të heqin disa banka ruse nga SWIFT, një lëvizje e madhe që i dha vrull ndëshkimeve ekonomike të perëndimit ndaj Moskës.

Duke nisur nga 26 marsi, institucionet më të mëdha financiare ruse, përfshirë bankën VTB dhe Sberbank, nuk do të lejohen më që të procedojnë pagesa përmes SWIFT-it. Data shënon gjithashtu afatin për të gjithë institucionet financiare amerikane që të mbyllin çdo llogari korrespondente dhe të refuzojnë çdo transaksion të ardhshëm me Sberbank.

Lexo po ashtu Katër javët e luftës kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Rusisë, qytetarët po përjetojnë krizë financiare

Kjo lëvizje është ndjekur nga shumë vende dhe rajone të tjera. Më datë 2 mars, BE-ja lajmëroi një listë të bankave ruse që do të përjashtohen nga SWIFT dhe masat u bënë efektive më 12 mars. Më datë 24 mars, Washingtoni theksoi se do të zgjerojë sanksionet ndaj enteve ruse të biznesit dhe individëve.

Qeveria Zvicerane theksoi se ka ngrirë mbi 6 miliardë dollarë aktive, ndërkaq Japonia vendosi sanksione shtesë ndaj Rusisë, përfshirë ngrirjen e më shumë aktiveve dhe ndalimin e eksporteve drejt bizneseve ruse.

Në kundërpërgjigje të këtyre sanksioneve perëndimore, Rusia zyrtare i ka kërkuar Evropës që të paguajë për gaz në rubla. /Telegrafi/

Exit mobile version