Takimi mes presidentes së Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve më të lartë të industrisë së automobilave ishte shumë i pritur.

Brukseli qëndroi i palëkundur në lidhje me objektivat për emetimet e dioksid karbonit (CO2) deri në vitin 2035.


Një samit i nivelit të lartë të industrisë në Bruksel konfirmoi fokusin strategjik drejt veturave elektrike në Evropë.

“Pavarësisht sfidave, ardhmëria është tek veturat elektrike”, tha për euronews një person që ishte prezent gjatë bisedimeve mes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe drejtuesve të lartë të sektorit të automobilave.

“Industria është jashtëzakonisht e vetëdijshme për nevojën e tranzicionit”, shtoi personi që kërkoi të mbetet anonim, transmeton Telegrafi.

Para takimit, prodhuesit evropianë të automjeteve kërkuan më shumë fleksibilitet në zbatimin e objektivave për emetimet e CO2.

“Por edhe nëse Komisioni do t’i hiqte këto objektiva, konkurrenca globale do t’ia impononte ato industrisë”, tha personi.

Brukseli po ndjek synimin për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050 dhe, ndër të tjera, ka vendosur që nga viti 2035 të ndalojë prodhimin e automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme.

telegrafi.com

Gjatë bisedimeve të së premtes, Komisioni dha sinjale se nuk ishte i gatshëm të tërhiqej nga objektivat për vitin 2035, pavarësisht thirrjeve të fundit nga bota e biznesit dhe politika për t’u larguar nga ky qëllim.

“Nuk njoh ndonjë teknologji më të mirë se vetura elektrike për të avancuar uljen e emetimeve të CO2 në sektorin e transportit në vitet në vijim”, tha CEO i Audit, Gernot Döllner, për revistën gjermane Wirtschaftswoche.

“Në vend që të theksohen këto përparësi, po nisin vazhdimisht debate të reja për ruajtjen e motorit me djegie të brendshme - kjo është kundërproduktive dhe i shqetëson konsumatorët”, shtoi ai.

Një qëndrim i ngjashëm u shpreh edhe nga Michiel Langezaal, CEO i Fastned dhe president i ChargeUp Europe, i cili mori pjesë në bisedimet me Ursula von der Leyen.

“Të sigurosh që Evropa të mund të udhëheqë transformimin drejt elektromobilitetit në nivel global kërkon më shumë sesa të qëndrosh fort pas një harte rrugore. Kërkon që industria të ketë guximin të përballet me sfidat me një mentalitet zhvillimi dhe të përqendrohet te veprimet që nevojiten për ta bërë këtë tranzicion drejt elektromobilitetit një sukses për njerëzit, industrinë dhe mjedisin”, tha ai për Euronews.

Komisioni kishte thirrur takimin tre-orësh si pjesë e “Dialogut Strategjik” për të ardhmen e industrisë së veturave, për të adresuar krizën aktuale. Ky ishte takimi i tretë i këtij lloji që nga fillimi i vitit.

Sektori evropian i automobilave është goditur rëndë dhe po përballet me rënie të shitjeve, çmime të larta të energjisë, konkurrencë gjithnjë e më të madhe të subvencionuar nga Kina dhe një mjedis tregtar armiqësor për shkak të tarifave ndëshkuese nga SHBA.

Në muajin prill, kreu i industrisë së BE-së, Stephane Sejourne, e kishte përshkruar sektorin si “në rrezik fatal”.

“Ekziston rreziku që harta e ardhshme e industrisë globale të makinave të hartohet pa Evropën”, tha atëbotë Sejourne.

- YouTube www.youtube.com

Një nga sfidat më të mëdha mbetet zbatimi i politikës klimatike evropiane.

“Pjesa e tregut e veturave pasagjere elektrike me bateri në BE-27 ishte 15.6 për qind dhe 9 për qind për furgonët. Përdorimi i gjerë në tregun masiv ende nuk ka ndodhur. Dhe nuk do të ndodhë nëse nuk shpejtojmë ndërtimin e infrastrukturës dhe uljen e kostos totale të pronësisë”, tha për Euronews, Sigrid de Vries, drejtoreshë e përgjithshme e Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave (ACEA).

“Por, qeveritë dhe rregullatorët nuk kanë investuar, as nuk kanë kërkuar nivele të mjaftueshme të infrastrukturës, përmirësime të rrjetit dhe stimujt mbeten të paqëndrueshëm. Pasoja: objektivat rregullatore nuk janë më të arritshme”, shtoi ajo.

Për të bërë që automjetet me zero emetime të jenë zgjedhja e qartë për konsumatorët dhe bizneset, prodhuesit e veturave besojnë se blerja ose përdorimi i këtyre automjeteve duhet të jetë më tërheqës se ai i makinave me motor me djegie të brendshme.

Kjo kërkon stimuj të qëndrueshëm për blerje, taksa më të drejta, kosto më të ulëta të karikimit dhe qasje më të lehtë në qytete.

Në të njëjtën kohë, Evropa duhet të përshpejtojë ndërtimin e infrastrukturës për karikim dhe furnizim me karburant, veçanërisht për automjetet e rënda, ndërkohë që modernizon rrjetet dhe reformon tregjet e energjisë për të ulur çmimet e elektricitetit – kjo është një nga kërkesat kryesore të industrisë.

Industria e automobilave, një gur themeli i ekonomisë evropiane, punëson mbi 13 milionë njerëz (punë direkte dhe indirekte) dhe kontribuon rreth 7 për qind të PBB-së së BE-së. /Telegrafi/