Sakrifica e madhe që bëri Nicolas Jackson për të realizuar transferimin te Bayern Munichu

Nicolas Jackson pranoi të heqë dorë nga një pjesë e parave që i takonin për të lehtësuar transferimin e tij të ëndrrave te Bayern Munich në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Jackson përfundoi kalimin vonë te kampionët gjermanë pasi ata ranë dakord me Chelsea për sulmuesin, i cili do t’i bashkohej me një huazim fillestar për një sezon, me detyrimin për ta blerë në verën e ardhshme për 56 milionë euro.
Ky transferim u vu në rrezik pasi Chelsea i tha Bayern se nuk mund të vazhdonin me marrëveshjen pas dëmtimit të Liam Delap në ndeshjen e Ligës Premier kundër Fulham më 30 gusht, ku fituan 2-0.
Sipas publikimit gjerman Bild, një pengesë tjetër u vendos përpara transferimit të Jackson.
Raporti thotë se kur të dy klubet u rikthyen për të rinegociuar transferimin, Chelsea rriti tarifën e huazimit nga 13 milionë në 14.3 milionë euro, çka do t’i kishte vështirësuar Bayernit për të finalizuar marrëveshjen.
Megjithatë, besohet se Jackson kompensoi këtë diferencë duke hequr dorë nga një pjesë e parave që i takonin në rast se transferimi do të realizohej.
Dëshira e madhe e Jackson për t’u bashkuar me Bayernin vjen pas një veprimi të ngjashëm nga agjenti i Benjamin Sesko, i cili gjithashtu bëri një lëvizje për të ndihmuar klientin e tij të kalonte te Manchester United këtë verë.
Elvis Basanovic, agjenti i Seskos, deklaroi në gusht se ai pranoi të heqë dorë nga një pjesë e komisionit që i takonte për t’i mundësuar United të përputhej me çmimin prej 74 milionë eurosh që kërkonte Leipzig për futbollistin slloven./Telegrafi/




















































