Site icon Telegrafi

Sa vota grumbulluan kryetarët e komunave që garuan për një ulëse në Kuvend?

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, disa kryetarë komunash ishin gjithashtu pjesë e garës për të marrë mbështetje nga qytetarët, duke kërkuar mundësinë për të siguruar një vend në Kuvendin e Kosovës.

Në përgjithësi, kryetarët e disa komunave të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishin ata që morën pjesë në garë, transmeton Telegrafi.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ishte në mesin e kandidatëve të LDK-së, i cili kërkoi mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurt.

Sipas rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e të cilat nuk janë përfundimtare, Ahmeti ka marrë 16 mijë e 190 vota.

Në garë ishte edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ku deri tani ka grumbulluar 11 mijë e 255 vota.

Gjithashtu, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kërkoi mbështetje nga qytetarët që të jetë në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit, ai deri tani ka grumbulluar 11 mijë e 159 vota.

Edhe kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, ishte pjesë e listës së LDK-së.

Të dhënat e fundit të KQZ-së, tregojnë se ai ka marrë mbështetjen nga 9 mijë e 307 qytetarë.

Disa kryetarë komunash të udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan gjithashtu një ulëse në Kuvend.

Ardian Gjini, i cili aktualisht është kryetar i Gjakovës kërkoi mbështetje nga qytetarët, e siç duket deri më tani, atë e kanë votuar 8 mijë e 227 qytetarë.

Në listën e AAK-së, ishte edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Sipas listave të deritanishme, Ramosaj ka marrë mbështetjen nga 7 mijë e 453 qytetarë.

Bali Muharremaj, kryetari i Suharekës, po ashtu ishte në mesin e kandidatëve për deputetë, ai ka grumbulluar 5 mijë e 720 vota.

Vota kërkoi edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Latifi sipas të dhënave që janë publikuar deri tani ka marrë mbështetjen nga 5407 qytetarë.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur ditën e diel, më 9 shkurt. Ku sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.80%, Partia Demokratike e Kosovës 22.03%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.63%.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate 7.46%.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës./Telegrafi/

 

Exit mobile version