Ruzhdi Shehu premton ndërtimin e palestres së mbyllur sportive në Junik gjatë mandatit të dytë

Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se në mandatin e tij të dytë planifikon ndërtimin e një palestre të mbyllur sportive në këtë komunë.
Përmes një postimi publik në rrjetet sociale, Shehu ka bërë të ditur se projekti tashmë është përgatitur në detaje dhe në mandatin e ardhshëm do të kalojë në fazën e implementimit.
Sipas tij, investimi kap vlerën mbi 300 mijë euro dhe synon të ofrojë kushte moderne për rininë dhe sportistët e Junikut.
"Të dashur junikas, në mandatin e dytë do të ndërtojmë palestrën e mbyllur sportive. Për këtë projekt do të investojmë mbi 300,000 euro sepse rinia dhe sportistët e Junikut e meritojnë një palestër me standardet e fundit ndërkombëtare", ka deklaruar Shehu.
Ai ka shtuar se ky projekt është dëshmi e përkushtimit të tij ndaj zhvillimit të infrastrukturës sportive në komunë, duke e mbyllur mesazhin e tij me moton “Vazhdojmë +4 pa balotazh”. /Telegrafi/

















































