Prokurori i PSP-së Burim Rustemi, sot ka dëshmuar në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në lidhje me rastin "Haraçi".

Pas përfundimit të marrjes në pyetje, ai para gazetarëve tha se është përgjigjur në të gjitha pyetjet e Prokurorisë lidhur me këtë rast, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Rustemi nuk u përgjigj në pyetjen nëse në takimin e ditës së hënë në PSP, Katica Janeva i ka kërcënuar prokurorët tjerë se "nëse bie ajo, do t'i tërheq të gjithë".

"Unë erdha dhe dash deklaratë në cilësinë e dëshmitarit për rastin 'Haraçi'. E kam thënë të vërtetën dhe i kam dhënë të gjitha informacionet që i di. Besoj që deklarata ime do të kontribuojë për zhvillimin e hetimeve", tha Rustemi.

Sa i përket kontrolleve të mbrëmshme në PSP, Rustemi tha se nuk e ka di çfarë ka ndodhur.

"Unë kam qenë në gjykim për rastin 'TNT'. Bashkëpunëtoren profesionale e kam pritur para gjykatës, nuk e di se çfarë ka ndodhur", tha Rustemi.

Ndërsa i pyetur nëse ka qenë i ndikuar nga Janeva për dëshminë e tij në lidhje me rastin "Haraçi", ai tha se nëse do të kishte një gjë të tillë do ta kishte paraqitur./Telegrafi/