Kremlini tha sot se Ukraina nuk u ishte përgjigjur shumë ofertave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të filluar negociata të drejtpërdrejta për paqe dhe se nuk ishte e qartë nëse do t'i bashkohej një armëpushimi treditor që ai ka shpallur për muajin e ardhshëm.

"Ishte presidenti Putin ai që tha vazhdimisht se Rusia është gati, pa asnjë parakusht, të fillojë procesin e negociatave", u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.


"Deri më tani nuk kemi dëgjuar një përgjigje nga Kievi", shtoi Peskov, transmeton Telegrafi.

Putini të hënën shpalli një armëpushim treditor në luftën në Ukrainë nga 8 deri më 10 maj, kur Rusia planifikon festime për të shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Në përgjigje, Ukraina pyeti pse Moska nuk do të binte dakord me thirrjen e saj për një armëpushim që do të zgjaste të paktën 30 ditë, dhe do të fillonte menjëherë.

"Ne vlerësojmë jetën e njerëzve dhe jo paradat", tha presidenti Volodymyr Zelensky.

Peskov tha se ishte "shumë e vështirë të kuptohej" nëse Ukraina kishte ndërmend t'i bashkohej armëpushimit. /Telegrafi/