Site icon Telegrafi

Rusia nuk po i publikon të dhënat ekonomike, fsheh efektin e sanksioneve perëndimore

Autoritetet ruse kanë ndaluar publikimin e të dhënave mbi borxhin e Qeverisë, statistikat tregtare dhe të prodhimit të naftës.

Banka Qendrore e Rusisë kufizoi vëllimin e informacionit financiar që bankat vendase duhet të publikojnë rregullisht, ndërsa ligjvënësit po punojnë për një projekt-ligj që ndalon huadhënësit të ndajnë të dhëna me vendet e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndalesa është pjesë e një përpjekjeje të autoriteteve ruse për të mbrojtur ekonominë dhe kompanitë vendase nga sanksionet e mëtejshme nga Perëndimi pas agresionit ushtarak të Moskës në Ukrainë.

“Ata po përpiqen të ‘errësojnë’ gjendjen ekonomike. Tashmë kemi kufizime nga mediet ruse dhe e njëjta gjë vlen edhe për qasjen në statistika. Perdja e Hekurt po shfaqet nga të dyja anët”, tha Elina Ribakova, zëvendëskryeekonomiste në Institutin e Financave Ndërkombëtare.

Lexo po ashtu Mbi 600 kompani perëndimore kanë ndërprerë aktivitetet në Rusi

Sanksionet e kanë shkëputur Moskën nga pjesa më e madhe e infrastrukturës financiare perëndimore.

Ekonomistët po parashikojnë një recesion të thellë, i kombinuar me inflacionin në rritje. Papunësia në Rusi po rritet mes një eksodi masiv të kompanive perëndimore.

Presidenti rus Vladimir Putin tha së fundmi se sanksionet perëndimore kanë penguar industrinë energjetike të vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version