Rukiqi publikon shifra: Kosova është në nevojë për investime

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për dështim në menaxhimin e ekonomisë dhe përkeqësim të kushteve jetësore në vend.
Në një reagim publik, Rukiqi tha se Kosova ka nevojë urgjente për investime, ndërsa, sipas tij, qeveria po krenohet me uljen e borxhit publik, pavarësisht rritjes së ndjeshme të çmimeve dhe varësisë së shtuar nga importet.
Ai theksoi se çmimet mesatare në vend janë rritur rreth 30 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve mbi 50 për qind.
Sipas Rukiqit, deficiti tregtar është rritur nga rreth 2 miliardë euro në mbi 5 miliardë euro, çka, siç u shpreh ai, nënkupton dalje të rreth 5 miliardë eurove nga Kosova çdo vit.
Rukiqi kritikoi edhe sektorin e energjisë, duke deklaruar se faturat e rrymës janë katërfishuar dhe se vendi është kthyer në peng të importeve të energjisë. Ai shtoi se, sipas tij, nuk është ndërtuar asnjë megavat i ri energjetik gjatë kësaj qeverisjeje.
Tutje, ai tha se ndërkohë që qeveria flet për qëndrime të forta politike, sistemi shëndetësor përballet me mungesa elementare, përfshirë edhe materiale bazike për operacione.
“Pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, kryeministri flet për ekonomi dhe zhvillim, ndonëse nuk e njeh as bazën e ekonomisë”, ka deklaruar Rukiqi.












































