Rubin vazhdon dëshminë në Hagë: Nuk më kujtohen takime me krerët e UÇK-së para vitit 1999

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin ka nisur vazhdimin e dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe po merret në pyetje nga Prokuroria.
Në fillim të seancës krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u panë në humor të mirë, madje para hyrjes së gjyqtarëve ata patën mundësi që të përshëndesin edhe të pranishmit në galerinë për publikun.
Në nisje të seancës gjyqtari shpalosi katër urdhra verbale, në mesin e të cilëve ishte edhe një kërkesë e bërë nga mbrojtja e Veselit ku kishin kërkuar që 3 materiale të pranoheshin si prova.
Ndonëse Prokuroria ka kundërshtuar pranimin e këtyre materialeve për shkak të relevancës, trupi gjykues vendosi që të njëjtat të pranohen si prova, raporton Telegrafi.
Prokurori i ZPS-së bëri të ditur se i nevojiten 1 orë e gjysmë për të përfunduar me pyetjet për James Rubin.
Ai pyeti Rubin nëse kishte njohuri që Thaçi e kishte përshkruar Adem Demaçin si “zëdhënës të UÇK-së në Prishtinë” duke mos i dhënë atribute politike.
Rubin tha se nuk e di nëse ka pasur njohuri për këtë.
Prokurori e pyeti nëse kishte pasur kontakte më herët me Jakup Krasniqin para takimit në Bruksel në prill të 1999 dhe në Rambuje.
Rubin tha se “këto dy raste janë kur jam takuar me Krasniqin, nuk më kujtohet të kem pasur takime të tjera”
Pyetja e njëjtë iu bë edhe për Kadri Veselin e Rexhep Selimin nëse ishte takuar më herët më ta.
“Nuk më kujtohet ky individ”, tha Rubin për Veselin, ndërkaq për Selimin theksoi se “është e mundur të kem pasur kontakt me të mirëpo nuk më kujtohet mirë”.
Ai tha tutje se ka lexuar raporte të OKB-së për situatën në Kosovë dhe UÇK-së, por që ishte skeptikë ndaj tyre.
“Më shumë ju besoja raporteve të Kryqit të Kuq”, tha Rubin.
Dëshmia e Rubinit pritet të përfundojë sot. /Telegrafi/



















































