"Rrogat po dalin por nuk po bëjmë shfaqje", Gresa Gashi tregon se Teatri i Ferizajt po përballet me mungesë të madhe fondesh

Aktorja e njohur Gresa Gashi ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Shok Podcast” të Fis Junikut, ku ka ndarë rrëfime të sinqerta për jetën dhe karrierën e saj artistike.
Në këtë intervistë, Gresa foli për përvojën e saj në Big Brother VIP Kosova 3, duke e përshkruar si një eksperiencë të veçantë që e ka bërë të njihet më afër me publikun. Megjithatë, pjesa më e ndjeshme e bisedës ishte kur aktorja foli për situatën e vështirë në të cilën ndodhet Teatri i Ferizajt, ku ajo është aktore rezidente.
“Mirë, por nuk është duke pasur para. Nuk është duke pasur para në teatër më së pari. Nuk po ka buxhet, nuk po vijnë regjisorët për shkak se nuk po ka buxhet dhe kemi mbetur pa bërë shfaqje,” – tha Gresa, duke treguar për mungesën e fondeve që ka paralizuar aktivitetin artistik të institucionit.
Kur u pyet nga moderatori nëse kjo mungesë buxheti ka ndikuar edhe në pagat e aktorëve, ajo sqaroi: “Jo, për rroga ka para, se rrogat po dalin. Por nuk po ka para për të bërë shfaqje të mëdha dhe normalisht se kanë kosto shfaqjet, edhe nuk po ka buxhet, kështu që kemi mbetur peng”.
- YouTube youtu.be
Deklarata e saj ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, pasi Teatri i Ferizajt njihet si një prej institucioneve më aktive të skenës teatrale në vend. Mungesa e buxhetit, sipas Gresës, rrezikon të ngadalësojë zhvillimin e artit dhe krijimtarisë në këtë qytet me traditë kulturore.
Aktorja, e cila prej vitesh është pjesë e këtij teatri, theksoi se pavarësisht vështirësive, dëshira për të krijuar dhe për të qenë pranë publikut mbetet e madhe. /Telegrafi/



























































