Me përmirësimin e kushteve të motit, policia në Gjilan bën të ditur se është vërejtur rritja e përdorimit të motoçikletave dhe mjeteve të ngjashme në rrugët e qytetit.

Andaj, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Siguria në trafikun rrugor”, policia ka njoftuar se vetëm gjatë javës së fundit kanë ndërmarrë një sërë masash ndaj vozitësve të motoçikletave.


Policia njofton se gjatë kësaj periudhe, janë përjashtuar nga qarkullimi 13 motoçikleta për shkak të parregullsive të ndryshme.

Përvec kësaj, janë shqiptuar 36 gjoba ndaj motoçiklistëve që nuk kanë respektuar rregullat, si dhe pesë ngasësve u është ndaluar drejtimi i mjeteve motorike për shkak të shkeljeve të rënda.

Policia rajonale ka rikujtuar disa këshilla thelbësore për të ngasur motoçikletën në mënyrë të sigurt.

“Përdorimi i pajisjeve mbrojtëse është thelbësor për mbrojtjen e jetës, kontrolli teknik ndihmon në shmangien e problemeve gjatë ngasjes, respektimi i rregullave në trafik është detyrim ligjore dhe moral, ngasja me përgjegjësi përfshin shmangien e manovrave të rrezikshme”, thuhet në komunikatën e policisë.

Ndryshe, policia në Gjilan thekson se do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë ngasësve që veprojnë në kundërshtim me ligjin për rregullat në trafikun rrugor. /Telegrafi/