Reshjet e mëdha të shiut kanë vazhduar edhe gjatë pasdites të së martës, ku si pasojë edhe një dru në qendër të kryeqytetit është rrëzuar.

Në fotografitë e dërguara nga lexues të Telegrafit, shihet një dru i lartë i cili është rrëzuar në parkingun e ndërtesave tek sheshi "Zahir Pajaziti" në Prishtinë dhe ka rënë mbi disa vetura.


Nuk raportohet për persona të lënduar.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se sot do të ketë vërshime, teksa ka lutur qytetarët që të lajmërojnë për çfarë do urgjence.

105393435 2115291988595811 1270798712790993566 n

“Sipas të dhënave të Institutit Meteorologjik dhe duke u bazuar në situaten në shtetet fqinje ju informojmë se sot në regjionin e Prishtinës do të ketë vërshime. Për çfarëdo urgjence lajmëroni në 080012233”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në Twitter.

Po ashtu edhe Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka dhënë alarmin për vërshime të shpejta në disa pjesë të Kosovës.

Sipas njoftimit Agjencioni ka parashikuar që të ketë vërshime qysh sot nga ora 12:00.

“Pika më e hershme e parashikuar: e martë, 23 Qershor 2020 – 12:00; Përqindja e zonës së prekur të ndjeshme ndaj rrëshqitjeve të dheut: shumë e lartë: 43%, lartë: 34%, moderuar: 12%;

Data e parashikimit: 2020-06-23. 08 UTC; “duke treguar një probabilitet të lartë të reshjeve ekstreme dhe përmbytjeve të mundshme. /Telegrafi/