Drejtoria për Bujqësi e Komunës së Vitisë ka lëshuar një apel urgjent për qytetarët, duke kërkuar me ngulm që të ndalohet ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, pas rasteve alarmante të djegieve që po rrezikojnë seriozisht jetën, pronën dhe ambientin.

Vetëm gjatë ditës së sotme, në këtë komunë janë djegur mbi 40 ari me grurë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë së theksuar, çdo pakujdesi mund të çojë në përhapje të shpejtë të zjarreve në ara, livadhe dhe pyje.


Drejtoria apelon që qytetarët:

Të mos djegin kashtë, mbeturina apo materiale të tjera në ambiente të hapura;

Të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast se vërejnë zjarr apo rrezik për zjarr;

Të ndihmojnë në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve kur është e mundur dhe pa rrezikuar jetën e tyre.

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë pa pagesë:

Emergjenca: 112

Zjarrfikësit: 193

Policia: 192

Ndihma e Shpejtë: 194

Autoritetet rikujtojnë se zjarrvënia e qëllimshme ose nga pakujdesia është vepër penale dhe ndëshkohet me ligj.

“Toka është pasuria jonë e përbashkët. Ruajeni nga zjarri, sepse një pakujdesi e vogël mund të kthehet në një katastrofë të madhe”, thuhet në fund të njoftimit të Komunës së Vitisë.