Pavarësisht humbjes së fundit, Bashkimi ka arritur një sukses historik për basketbollin prizrenas dhe atë kosovar, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

Ky rezultat u mundësua falë një rregulli të veçantë të kompeticionit. Sipas rregullores së FIBA-s, tre ekipet me diferencën më të vogël të humbjes në raundin eliminator përzgjidhen si “lucky losers” dhe vazhdojnë garën.



Bashkimi ishte një nga këto skuadra, duke bërë kështu histori për klubin dhe basketbollin kosovar.

“Rrugëtimi ynë në Evropë do të vazhdojë! Zyrtarisht jemi pjesë e grupeve të FIBA Europe Cup, për herë të parë në historinë e klubit”, ka shkruar klubi.

Lista prej 40 ekipesh për sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup 2025-26 është tashmë e plotë, pas përfundimit të kualifikueseve të mërkurën.

Trepça dihej se do të luante në fazën e grupeve, por tani edhe Bashkimi i ka mësuar kundërshtarët. Prizrenasit janë në Grupin J, ku do të përballen me klube si JDA Dijon Basket (Francë); Pallacanestro Reggiana (Itali) dhe KK Cibona (Kroaci).

Sezoni i rregullt i Kupës së Evropës FIBA do të fillojë të martën, më 14 tetor, me orarin e plotë përfundimtar që do të konfirmohet më vonë. /Telegrafi/

telegrafi sport app