Site icon Telegrafi

Rrëfimi për “gruan e varur”, fotografia e së cilës zbuloi më së miri të vërtetën e mizorive të Ratko Mladiqit

Në korrik të vitit 1995, një fotografi u gjend në faqet e para të gazetave në të gjithë botën. Ajo tregonte një grua të varur në një pemë jashtë Srebrenicës në Bosnjën Lindore. Titulli shkruante: “Gruaja e varur”.

Dhe kjo fotografi të sjellë në mendje thënien e famshme: “një fotografi vlen sa njëmijë fjalë” – dhe kjo tregoi gjithçka në lidhje me luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ajo tregon për tradhtinë e Srebrenicës, ku ndodhi gjenocidi më i keq në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ajo simbolizoi “spastrimin etnik” vrasës që po ndodhte në të gjithë Bosnjën dhe dëshpërimin dhe pashpresën e myslimanëve – të cilët ishin viktimat e tij, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.

Ishte gjithashtu një reflektim i indiferencës së përgjithshme të botës së gjerë ndaj realitetit të zymtë të asaj që po ndodhte në pragun e Evropës perëndimore dhe dështoi ta ndalonte atë.

Lexo po ashtu Ish-përkthyesi boshnjak vjen me një rrëfim prekës, kujton njeriun që e shpëtoi nga vdekja e sigurt nga “Ushtria e Republika Srpska e Mladiqit”

Kjo grua anonime ishte një viktimë në një konflikt që do të linte 100,000 të vdekur, 20,000 deri 50,000 gra dhe vajza të përdhunuara dhe rreth 2.7 milionë njerëz të zhvendosur para se të zhvillonte kursin e saj barbar.

Javën e kaluar, ish-komandanti serb i Bosnjës gjeneral Ratko Mladiq, i ashtuquajturi “kasapi i Bosnjës” i cili ishte pas masakrës së Srebrenicës, humbi apelin e tij kundër një dënimi të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Fëmijët e Ferida Osmanoviq, Fatima dhe Damir, në shtëpinë e tyre në Jezero, Bosnjë, në vitin 2015 (Foto: Karen Robinson/The Observer)

Dhe në ditën e vendimit për Ratko Mladiq, Kim Willsher shkruan për The Guardian se iu kujtua “Gruaja e varur”; për të cilën iu deshën shumë muaj për të gjetur se kush ishte, por e bënë.

Emri i saj ishte Ferida Osmanoviq. Ajo ishte 31 vjeçe. Burri i saj, Selman, 37 vjeç, ishte midis rreth 8,000 burrave dhe djemve të marrë nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës – dhe që më pas ishte masakruar.

“Në prill të vitit 1996, fotografi Lynn Hilton dhe unë udhëtuam për në një fshat pak jashtë Tuzlës në Bosnjën veri-lindore. Aty gjetëm fëmijët jetimë të Feridas dhe Selmanit – Damirin, 13 vjeç dhe Fatiman, 10 vjeçe – të cilët po qëndronin me gjyshen e tyre atërore dhe të afërmit e tjerë. Ishte një nga intervistat më të trishtueshme që kam bërë ndonjëherë”.

“Fatima na tha: Ne e dimë që nëna jonë u var vetë. Ne shkuam te varri i saj, por ai nuk kishte emër, thjesht ‘Varur’. Kështu që ne e shkruam emrin e saj mbi të me stilolaps”.

Sipas Willsher, Damir kujtoi orët para se nëna e tij të zhdukej. “Ishte nata jonë e dytë në kamp dhe nëna na vuri në shtrat. Ne ishim duke fjetur me batanije. Ajo tha se na donte, na tha natën e mirë dhe u shtri pranë nesh. Pastaj u zgjova në mesnatë dhe ajo nuk ishte atje”.

Më 16 korrik, Ferida, e mposhtur nga pikëllimi për humbjen e burrit të saj, ishte varur në një lak.

Në orën 7.30 të ditës tjetër, trupi i saj u gjet nga një grup fëmijësh.

Fotoja është marrë nga fotografi i pavarur kroat Darko Bandiq, i cili nuk e zbuloi kush ishte deri më vonë.

Ashtu si shumë boshnjakë të tjerë, Osmanoviqët ishin një familje e zakonshme, e cila jetonte në një shtëpi dhe kishte shpresa të thjeshta për një të ardhme paqësore, përcjell Telegrafi.

Faqja e parë e gazetës The Guardian nga 15 korrik, 1995. Ajo tregon një fotografi të një gruaje të varur në një pemë në Tuzla; ajo më vonë u emërua si Ferida Osmanovic. (Fotografitë janë bërë nga Darko Bandic i AP. Fotografitë: Gary Calton/The Observer)

Brezat e Osmanoviçëve kishin kultivuar tokën në Podsevar, 20 milje larg Srebrenicës afër kufirit me Serbinë. Selman, një bravandreqës dhe vajza e fermerit Ferida, u martuan në vitin 1980.

Në vitin 1992, kur lufta në Bosnjë u përhap nga Kroacia fqinje, dhe forcat serbe të Bosnjës filluan të përzënë boshnjakët nga shtëpitë e tyre, Selman dhe Ferida u larguan me fëmijët e tyre në Srebrenicë. Aty, ata menduan se ishin të sigurt, por ishin gabim, shkruan gazetari në shkrimin e tij për The Guardian, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, ajo që ndodhi në Srebrenicë është e dokumentuar mirë dhe do të mbetet si një nga dështimet më të turpshme të komunitetit ndërkombëtar në histori.

Lexo po ashtu Nuk e priti vendimin përfundimtar për "Kasapin e Bosnjës": Ndërron jetë gruaja që humbi burrin dhe djalin në Masakrën e Srebrenicës

Qyteti u shpall një “strehë e sigurt” e OKB-së; nga popullsia e saj kryesisht myslimane e “fryrë” nga refugjatët u kërkua t’ua dorëzonin armët e tyre paqeruajtësve ndërkombëtarë.

OKB atëherë braktisi Srebrenicën në fatin e saj të përgjakshëm.

Habiba Osmanoviq, nëna e Selmanit, tha se ai kishte refuzuar të ikte në pyll, siç bënë disa, pa familjen e tij sepse “ai ishte një optimist. Ai kishte besim te Perëndimi”.

“Ne nuk kemi baba dhe tani nuk kemi nënë”, kishte thënë Fatima, kujton gazetari, duke treguar se të gjithë në dhomë qanë, përfshirë Lynn.

Fatima dhe Damir i mbijetuan luftës dhe janë kthyer për të vizituar Srebrenicën. Të dy besohet se jetojnë ende në Bosnjë.

Gazetari në shkrimin e publikuar në The Guardian ndër tjerash shkruan se kishte kaq shumë tmerre të tjera në vend; kjo histori nuk ishte as më e keqja për të cilën raportoi ai dhe Lynn, por ishte një nga më prekëset. /Telegrafi/

Exit mobile version