Rrëfimi ndryshe i Armand Dukës, njeriu i dytë i futbollit evropian: Si e bindi Sylvinhon në takimin e parë, çfarë pret nga Euro 2024 dhe premio që i është dhënë kuqezinjve

Kombëtarja e Shqipërisë ka përsëritur suksesin e vitit 2016, duke arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian 'Euro 2024'.
Pas një fushate kualifikuese të jashtëzakonshme për Euro 2024, ku Kombëtarja Shqiptare ka shfaqur një performancë të përkryer, të mbushur me pasion, përkushtim dhe një futboll që frymëzon, futbolli shqiptar po njeh një epokë të re zhvillimi dhe njohjeje ndërkombëtare.
Armand Duka, në rolin e tij si president i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka qenë një prej arkitektëve kryesorë të kësaj rritjeje dhe transformimi, duke dëshmuar se drejtueshmëria e fortë dhe vizioni strategjik mund të çojnë një kombëtare drejt majave të suksesit.
Duka ia dha çelësat e Kombëtares trajnerit brazilian Sylvinho, ku doli zgjedhje e qëlluar edhe pse fillimisht u pa me skepticizëm në opinionin e gjerë futbolldashës.
Megjithatë presidenti i FSHF-së vazhdon të bëj gjëra të mëdha për futbollin në Shqipëri dhe Kombëtaren shqiptare, derisa ai këtë vit është zgjedhur edhe zëvendës president i UEFA-s, shtëpisë më të madhe të futbollit evropian.
Në një intervistë për Telegrafin, Duka ka folur për të gjitha, nga bisedat me Sylvinhon te kualifikimi për Euro 2024, zgjedhja si zv. president i UEFA-s e deri ta premio që i ka dhënë futbollistëve për kualifikimin.
Arritja në Kampionatin Evropian, një sukses i jashtëzakonshëm, por kur filluat të besoni se kjo Kombëtare do të arrijë në Euro 2024? Armand Duka: Në fakt, kualifikimi për në Euro 2024 ka qenë një objektiv i vendosur që në strategjinë “Futbolli për Kombin” kur ne prezantuam në shkurt të vitit 2022. Dhe ne kemi pasur një plan të qartë për arritur deri te suksesi. Më besoni, në futboll asgjë nuk vjen rastësisht. Ne kemi punuar me një plan të qartë dhe me vizion, duke transformuar infrastrukturën me Kombëtaren që tashmë stërvitet e punon në një nga qendrat më moderne në Ballkan dhe ka një stadium modern. Kemi përzgjedhur një staf teknik me në krye trajnerin Silvinjo që kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ndërkohë kemi edhe një grup shumë të mirë lojtarësh, një gërshetim mes të rinjve dhe atyre me eksperiencë, që premtonin shumë. Me pak fjalë i kishim të gjithë komponentët për të bërë një fushatë shumë të mirë kualifikuese dhe për të synuar objektivin madhor, kualifikimin për në Euro 2024. Duke mos u nisur nga dëshira, por sipas mundësive dhe kapaciteteve që kishte Kombëtarja, futbollistëve në përbërje, organizimit dhe përkushtimit që kishte. Ishte objektivi jonë, por njëkohësisht ishim të ndërgjegjshëm që nuk ishte i lehtë për t’u përmbushur. Edhe pse humbëm më Poloninë në ndeshjen e parë, paraqitja e skuadrës ishte mjaft e mirë dhe më pas veçanërisht pas ndeshjeve të qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, unë pata shumë besim se ne mund ta realizonim këtë ëndërr të bukur. Dhe e arritëm objektivin jo vetëm me rezultate në fushë, por edhe duke bërë paraqitje shumë të mira dhe bindëse.
Kombëtarja vazhdon t’i bashkoj shqiptarët nga të gjitha trevat si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës. Sa është e rëndësishme për ju si president një gjë e tillë? Armand Duka: Unë e them shpesh, ndihem krenar që Kombëtarja i bën bashkë të gjithë shqiptarët kudo që janë, brenda dhe jashtë kufijve. Jo vetëm në fushë, por edhe në tribunat e stadiumeve. Dhe ne e kemi parë se vetëm futbolli arrin ta bëjë diçka të tillë. Është fantastike fakti që ne kemi në përbërje futbollistë nga të gjitha trevat. Sepse kombëtarja kuqezi është simboli i unitetit kombëtar për të gjithë ne, ku mblidhen të gjithë shqiptarët. Ne kemi bërë bashkë lojtarët që vijnë nga të gjithë trojet shqiptare dhe e kemi derën e hapur për të gjithë ata që janë shqiptarë që kanë talentin dhe e meritojnë të veshin fanellën kuqezi, pavarësisht se ku kanë lindur. Në fund të fundit janë lojtarët ata që vendosin se me cilën kombëtare duan të luajnë. Do të shqetësohesha vetëm në rast se futbollistët shqiptarë do të zgjidhnin të luanin për Gjermaninë, Zvicrën apo vende të tjera dhe jo për Shqipërinë.
Çfarë premio kanë marrë futbollistët për kualifikimin në Euro 2024, a është premio më e madhe se ajo e vitit 2016? Armand Duka: Një pjesë e mirë e të ardhurave nga kualifikimi për në finalet e Euro 2024 do të shkojë për shpërblimet e futbollistëve dhe stafit. Shpërblimet kanë qenë të përcaktuar qysh në nisje të edicionit, por sigurisht ne kemi vendosur që t’i rrisim ato dhe mund t’ju them që një pjesë e konsiderueshme e shpërblimeve të UEFA-s për kualifikimin do të shkojë për futbollistët si edhe për të mbuluar shpenzimet që ka kombëtarja në këtë aventurë të dytë në finalet e një turneu madhor. Mendoj se nuk është rasti për të bërë krahasime me Euro 2016. E rëndësishme është që futbollistët të ndjehen të vlerësuar dhe, ju siguroj që janë. Gjithashtu, është po aq e rëndësishme që ne t’u krijojmë atyre kushte sa më të mira pune, një atmosferë sa më pozitive dhe e them me bindje të plotë se Kombëtarja do të shkojë në Gjermani përmes një organizimi perfekt, duke mos i munguar asgjë.
Në Gjermani do të jemi në ‘Grupin e vdekjes’, me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Cilat janë pritshmëritë tua? Armand Duka: Gjatë shortit isha shumë i qetë dhe nuk kisha asnjë merak për rivalët që do të kishim në grup, sepse të gjitha skuadrat që janë kualifikuar për në finalet e Euro 2024 janë të forta dhe për t’u respektuar. Rivalet tona në Grupin B janë patjetër janë skuadra me histori e me shumë trofe, Italia kampione e Evropës në fuqi, Spanja një ish-kampione e Botës dhe e Evropës, Kroacia finaliste e Kupës së Botës. Mirëpo, ne u kualifikuam për në Evropian për të sfiduar skuadrat e mëdha, pastaj se cili do të jetë më i fortë, këtë do ta tregojë vetëm fusha e lojës.
Për ne është e rëndësishme të përgatisim sa më mirë këtë turne dhe të mundohemi të bëjmë maksimumin, sepse mundësitë janë aty. Dy skuadrat e para të grupit do të kualifikohen në fazën tjetër së bashku me katër ekipet më të mira nga vendet e treta në grupe. Nëse bën një rezultat pozitiv i ke të gjitha mundësitë për të kaluar në 1/16–at e finaleve. E sigurt është që Shqipëria nuk ka frikë dhe do të luajë si e barabartë me të gjithë kundërshtarët, pavarësisht emrit dhe historisë që kanë. Unë besoj se ne i kemi të gjitha kapacitetet për të bërë surprizën në këto finale.
Sylvinho me bashkëpunëtoret e tij bënë një punë të madhe dhe sigurisht që jeni të kënaqur me ta, por si erdhi deri te ideja që t’ia besoni çelësat e Kombëtares trajnerit brazilian? Armand Duka: Sylvinho ka një karrierë të pasur si futbollit, por edhe eksperiencë të rëndësishme si trajner në fakt. Ne po negocionim me disa trajnerë asokohe, por kur e takova Sylvinho-n më bëri përshtypje që në herën e parë, për mënyrën se si ai e shikonte futbollin dhe pasioni i madh që kishte për punën. Ishte shumë i përgatitur dhe i kishte idetë e qarta se si mund të luante Kombëtarja shqiptare në drejtimin e tij. Më pas, edhe përfshirja e Pablo Zabaletës dhe Dorivës në këtë tratativë, dy emra të njohur të futbollit, ishte gjithashtu një shtysë plus. Po flasim për ish-futbollistë dhe trajnerë që kanë luajtur e punuar me yjet e botës në nivelet më të larta dhe kanë një mentalitet fitues. E kam parë që mund të ketë pasur pak skepticizëm në fillim, por unë jam shumë i lumtur tani, sepse vendimi për t’ia dhënë atij “çelësat” e Kombëtares ka qenë zgjedhja e duhur dhe rezultoi një sukses i vërtetë. Është bërë një punë e madhe dhe nga ana e FSHF përmes investimeve dhe një qendre stërvitore moderne. Ne u kemi krijuar të gjitha kushtet e duhura për të punuar sa më mirë dhe stafi së bashku me futbollistët na e shpërblyen, duke na dhuruar rezultate fantastike dhe një futboll të bukur.
Futbolli në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ka bërë progres të dukshëm vit pas viti dhe unë jam i bindur se ky progres do të vijojë me të njëjtat ritme, ndërkohë që FSHF do të jetë gjithmonë aty, duke dhënë kontributin e saj me të gjithë mbështetjen e mundshme që ne të rritemi së bashku. Edhe në pozicionin tim si Zv.President i UEFA-s unë përpiqem të jap mbështetjen time për të ndihmuar këto dy federata që të rriten edhe më shumë përmes projekteve.




























































