LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i ish-ambasadorit Giffoni: Tregon për raportet me grupin e udhëhequr nga Ukë Rugova (Video)

Rrëfimi i ish-ambasadorit Giffoni: Tregon për raportet me grupin e udhëhequr nga Ukë Rugova (Video)

Viti 2014 kishte nisur mbrapshtë për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë. Ishin informuar se ambasada italiane në Kosovë ishte cak i hetimeve të ndërmarra nga misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Një prej zyrtarëve të ambasadës, Florian Petani, ishte “kapur” nga EULEX-i. Dyshimet për përfshirje në krim të organizuar çonin deri tek numri një i shtetit italian në Kosovë, ambasadori Michael Giffoni.

Kishte pasuar mobilizimi i shtetit italian. Grupe inspektorësh ishin nisur nga Roma drejt Prishtinës. Kishin hasur në parregullsi të mëdha në menaxhimin e departamentit të vizave, gjatë udhëheqjes së ambasadës nga Giffoni.


Dy muaj më vonë, në mars të atij viti, Giffoni do të udhëtonte drejt Italisë për të dhënë llogari për keqmenaxhimin e shkaktuar.

Saktësisht më 31 mars 2014, Giffoni kishte dhënë versionin e tij para drejtorit të përgjithshëm për burime dhe inovacion në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë.

Insajderi ka siguruar procesverbalin e seancës dëgjimore të ish-ambasadorit Michaele Giffoni para Bordit Disiplinor për stafin e karrierës diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Mban datën 16 qershor 2014. Bordi ishte i përbërë nga gjashtë zyrtarë të lartë të MPJ-së.

Giffoni, bazuar në këtë procesverbal, kërkonte nga eprorët e tij që të merreshin parasysh rrethanat në të cilat ndodhej ambasada në Kosovë.

Ishin të rënda, sipas tij. Tregonte se përballej me mungesë stafi.

Kishte pohuar se, meqë ishte i përkushtuar shumë në punë, kishte kryer personalisht edhe punën e kontabilistit, deri në gjysmën e vitit 2010 kur një i tillë ishte angazhuar.

Kjo, sipas tij, ishte sakrificë personale që e kishte bërë për shkak të sensit të tij të punës dhe frymës së shërbimit ndaj shtetit.

Giffonit i ishte bërë me dije për dyshimet që rëndojnë mbi të. Autoritetet italiane pas informatave të marra nga EULEX-i dhe raporteve inspektuese në ambasadën e Italisë, dyshonin se Giffoni kishte krijuar një kanal të jashtëligjshëm për viza, të cilin e menaxhonte personalisht.

Ky kanal anashkalonte departamentin e vizave në ambasadë, për të mundësuar dhënien e paligjshëm të vizave për njerëz të lidhur me grupin e udhëhequr nga Ukë Rugova. Kanali përbëhej nga dy veta-zyrtari Florian Petani dhe ambasadori Giffoni.

Giffoni: Petani më dha “besën e shqiptarit”, por më tradhtoi

“Viktimë e Florian Petanit”, është epiteti që Giffoni parapëlqen që t’i referohen të tjerët.

Ai kishte rrëfyer gjatë për marrëdhënien me zyrtarin shqiptar të ambasadës italiane në Kosovë.

Giffoni thoshte se më 2009, tri ditë para se të nisej për Prishtinë për detyrën e re, paraardhësit i kishin folur fjalë të mira për Petanin.

Megjithatë, Giffoni thoshte se nuk kishte krijuar besim të menjëhershëm.

Giffoni ishte i informuar me artikujt të cilët u shfaqën në vitin 2006 që e lidhin Petanin me vepra korruptive. Nuk tregohet në dokumente se për çfarë artikuj bëhej fjalë.

Pohoi se të paktën në dy vitet e para ishte i kujdesshëm me Petanin, duke e mbikëqyrur atë.

Pas dy vitesh mbikëqyrjeje, nuk gjeti asgjë për shqetësim. Hasi në të kundërtën.

Vlerësoi se Petani kishte rritur ndjeshëm kompetencën për legjislacionin italian. Por, ky vlerësim nuk i doli i saktë. Akuzon Petanin për “tradhtim të besimit”.

“…por kjo (abuzimi me viza) ka ndodhur edhe si pasojë e presionit nga ngarkesa e punës, që unë e kam pasur gjithmonë në ato vite dhe besimin që unë e kisha në kolegët e mi dhe në Petanin, i cili ne atë rast përdori gjithashtu truke”, kishte pohuar Giffoni.

Ish-ambasadori italian kishte njohuri për familjen Rugova.

Thoshte se ata merrnin viza edhe para se ai të emërohej ambasador në Kosovë, më 2009.

Ai ka treguar se në pranverën e vitit 2009 i kishte dhënë udhëzime Petanit që të lëshojë viza mirësjelljeje ekskluzivisht për anëtarët e familjes së ngushtë të ish-presidentit Rugova dhe të lëshojë viza normale për persona të tjerë, të cilët gjendeshin në listat rekomanduese të Ukë Rugovës.

Giffoni kishte pohuar se asnjë listë grupore nga Rugova nuk ishte dorëzuar direkt tek ai, por ishin dorëzuar tek Petani.

Por, bazuar në rrëfimin e Giffonit, ishte Petani ai që “zgjeroi” rrethin e ngushtë familjarë të Rugovës.

“Shpjegimi i Petanit ishte se këta ishin në të vërtetë të njohur të familjes Rugova dhe se ishin persona që nuk përbënin asnjë rrezik për migracion. Këtu përfshiheshin miq e truproja të familjes Rugova”, ka pohuar Giffoni para autoriteteve italiane.

“Më kujtohet që ia kam përsëritur Petanit se i vetmi koncesion që unë do të kisha qenë në gjendje të bëja ishte shmangia e të kaluarit nëpër IVAO dhe se atij do t’i duhej të ndiqte dispozitat ligjore. Ai më siguroj duke m’u betuar, duke ma dhënë fjalën e tij të nderit, në fakt “besën” në shqip. Tani e kuptoj që kjo ishte qartazi një dredhi dinake në të cilën kisha rënë për fat të keq. Por unë theksoj që nuk e kisha imagjinuar atëherë se ai mund të ketë qenë arkitekt i mashtrimeve të tilla”, kishte shtuar Giffoni.

Por si arrinte Petani që ta mashtronte atë, sipas Giffonit?

Giffoni ka pohuar se Petani nuk e sillte asnjëherë për aprovim komplet listën e njerëz me dokumentacione përcjellëse. Sipas tij, i ndante në grupe ose i sillte një nga një për aprovim.

Po ashtu, gjente kohën e përshtatshme për ta bërë këtë, kur Giffoni ishte për ngutë për shkak të takimeve apo ceremonive institucionale.

Giffoni pohon se kishte aq besim të thellë në Petanin saqë asnjëherë nuk kontrollonte dokumentacionin, pasi që ishte i sigurt se kolegu i tij e kishte kompletuar.

Një detaj tjetër që kishte nxitur kërshërinë e eprorëve të Giffonit ishte passwordi i tij në sistemin elektronik të vizave.

Giffoni mohonte se ishin nënshkruar nga ai një numër i madh i vizave të dyshimta.

Nënshkrimi i tij figuronte në sistem dhe Giffoni përpiqej të bindte eprorët e tij se nuk ishin bërë nga ai.

Ai kishte pohuar se nuk ka kryer asnjëherë ndonjë operacion personal me këtë llogari.

Thoshte se shtypte fjalëkalimin në mëngjes, pas takimit të përditshëm të stafit. Këtë e bënte kur ishte në dijeni se në zyrë nuk kishte zyrtarë tjerë të pranishëm që ishin të autorizuar për të nënshkruar vizat. Stafi, thoshte ai, përdorte passwordin e tij për të dhënë vërtetimin përfundimtar për miratimin e vizës me nënshkrim të ambasadorit.

“…Kjo e fundit (vërtetimi përfundimtar në sistemin L-VIS) ishte një operacion që kurrë nuk kam bërë personalisht dhe që kurrë nuk do të isha në gjendje që teknikisht ta bëj “, ka pohuar Giffoni.

Akuzat për presion ndaj Favzi Habib

Një tjetër akuzë që rëndon mbi të është për presion ndaj vartësit të tij, Favzi Habib.

“Të rreme dhe të pasakta”, i kishte cilësuar Giffoni pretendimet e zyrtarit administrativ për presion të ushtruar nga Giffoni.

Ish-ambasadori italian thoshte se edhe nëse do të bënte presion ndaj Habib, ai nuk është dashur ta përfillte.

I referohej periudhës së gjatë të punës së Habib në departamentin e vizave. Përvoja e gjatë, sipas Giffonit, është dashur ta mbrojë Habibin nga çdo presion apo frikë.

Giffoni ia kishte deleguar përkohësisht Habibit përgjegjësinë e nënshkrimit të vizave, për shkak se menaxheri i departamentit të vizave- Charambalopoulos-ishte në pushim mjekësor.

Duke iu referuar rasteve të dyshimta, Giffoni mohoi t’i ketë dhënë Habibit ndonjë udhëzim specifik për dosjet që kanë ardhur në ambasadë nga Ukë Rugova, nëpërmjet Florian Petanit.

Giffoni ka pohuar se Habib dhe Petani kanë bashkëvepruar kundër tij. Si fakt, përmend provat e nxjerra nëpërmjet përgjimeve të kryera nga Policia e Kosovës.

Sipas Giffonit, Petani dhe Habib kanë rënë në përgjim duke biseduar se si të fshehin gjurmët e veprimeve të paligjshme që kishin bërë,duke tentuar që të shmangin nga inspektimi dosjet e dyshimta.

Giffoni ishte pyetur nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme edhe për një akuzë tjetër që rëndon mbi të: dëmtimi i buxhetit të shtetit italian.

Ambasada italiane kishte kontraktuar një kompani private IVAO, nëpërmjet të cilës palët e interesuara bënin aplikimin për viza.

Kontrata me këtë kompani ishte ndryshuar më 2013. Pas ndryshimit, Ambasada paguante çmim më të lartë për shërbimet.

Giffoni, gjatë seancës dëgjimore në Romë, kishte pohuar se ndryshimi i kësaj kontrate ishte propozuar nga departamenti i vizave.

Giffoni ka pohuar se kishte besuar se vartësit e tij e kishin marrë pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Itali për ta bërë ndryshimin e kontratës.

Po ashtu, Giffoni ishte përpjekur ta mbronte veten edhe me faktin se emri i tij nuk ishte përmendur për të keq nga mediet në Kosovë, pas aksionit të EULEX-it ku janë arrestuar pjesëtarët e grupit të udhëhequr nga Ukë Rugova.

Po ashtu, mbrojtja e tij, në një shkresë dorëzuar MPJ-së në Itali, kishte shkruar se Giffoni disa herë është penduar që nuk është vetëdijesuar me kohë rreth fakteve që tregonin për abuzime në ambasadë.

Duke e konsideruar vetën të mashtruar, ish- ambasadori Giffoni, kishte kërkuar nga Drejtori Gjeneral për Burime dhe Inovacion të hedhë poshtë procedurën e filluar kundër tij.

Kjo lutje e tij nuk ishte përfillur nga krerët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Ishte vendosur për shkarkimin e tij. /Insajderi/

Në trend Lajme

Më shumë
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Kalo në kategori