Site icon Telegrafi

Ronaldo Nazario shpall kandidaturën për president të Federatës së Futbollit të Brazilit

Ish-ylli i Interit dhe Real Madridit, Ronaldo Nazario da Lima, ka shpallur kandidaturën e tij për postin e presidentit të Federatës së Futbollit të Brazilit (CBF), aktualisht i zënë nga Ednaldo Rodrigues.

Ronaldo Nazario ka njoftuar se synon të kandidojë për presidencën e Federatës Braziliane të Futbollit, teksa ka dhënë edhe arsyet e tij.

“Ka 20 vite stagnim, pa perspektivë. Të gjithë janë të pakënaqur. Kam qindra arsye, por më e madhja është të kthej futbollin brazilian në majat e botës. Unë jam një forcë alternative për një ndryshim të rëndësishëm për futbollin brazilian, i cili është në një krizë të thellë”, ka thënë fillimisht legjenda 48-vjeçare.

 

“Duhet të jemi vigjilentë. Këto skandale dhe padi të administratës, të gjitha këto nuk po ndihmojnë futbollin brazilian. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të shohim se çfarë ndodh, çfarë mund të ndodhë dhe të jemi të përgatitur për situatën”.

“Ajo që e përjetoj më shpesh në rrugë është që njerëzit më afrohen dhe më kërkojnë të luaj sërish sepse situata e kombëtares nuk është aktualisht më e mira, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”.

Për të mbajtur postin si president i CBF, Ronaldo do të duhet të shesë aksionet e tij në Real Valladoid, diçka që nuk do të jetë një problem, sipas tij.

“Ne jemi duke negociuar një shitje të mundshme dhe duhet të përfundojmë transaksionin. Kjo nuk do të jetë pengesë për kandidaturën time”, përfundoi Ronaldo. /Telegrafi/

Exit mobile version