Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov tha se forcimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit është një nga prioritetet më të larta shtetërore dhe një parakusht për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione.

“Ky është një moment kritik dhe vendimtar për sistemin e drejtësisë. Ne duhet ta perceptojmë situatën qartë dhe me objektivitet, sepse vetëm përmes një vlerësimi të saktë mund të arrijmë zgjidhje të qëndrueshme”, tha Filkov.


Euroambasadori Mihalis Rokas, kujtoi se në raportin e Komisionit Evropian, gjyqësori mori vlerësim “pa përparim” dhe se niveli i pajtueshmërisë me BE-në është “i moderuar”.

“Në vend kanë ndodhur një seri prolongimesh në implementimin e reformave. Në konceptin e ri për Planin për Rritje, BE nuk është donator, por ‘investitor’ në sundimin e ligjit, sepse paratë lidhen me rezultatet”, deklaroi Rokas.

Sipas analizës së projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, mungesa e gjykatësve dhe personelit gjyqësor vlerësohet si problemi më kritik në gjyqësor, me tendencën që çdo vit të përkeqësohet, teksa Maqedonia e Veriut funksionon me numër dyfish më të vogël të gjykatësve për kokë banori.