Telegrafi

Rodrygo fshin mesazhin e diskutueshëm të WhatsApp për Mbappen dhe shokët e tjerë të Real Madridit

Ylli i Real Madridit, Rodrygo Goes ka fshirë një mesazh të diskutueshëm në grupin e lojtarëve në WhatsApp që i referohej Kylian Mbappes dhe disa nga bashkëlojtarët e tjerë të skuadrës.

Shumë njerëz presin që Real Madridi të ketë punë të lehtë në La Liga këtë sezon, por skuadra e Carlo Ancelottit filloi mbrojtjen e titullit me një barazim 1-1 në Mallorca të dielën.

Katërshja sulmuese i Los Blancos e përbërë nga Vinicius Junior, Rodrygo, Mbappe dhe Jude Bellingham kërcënuan të zhduknin kundërshtarët e tyre në pjesën e parë, por nikoqirët u kundërpërgjigjën pas pjesës së parë dhe ishin të pafat që nuk e fituan ndeshjen.

Real Madridit i mungonte ekuilibri ndërsa loja vazhdonte, me mbrojtjen që dukej gjithnjë e më e ekspozuar kur Mallorca u përpoq t’i godiste në kundërsulm.

Sulmuesi anësor brazilian Rodrygo shënoi golin e skuadrës së tij në pjesën e parë, por duket se ai nuk ishte i kënaqur me vëmendjen që binte mbi Mbappe, Bellingham dhe Vinicius.

Sipas Mario Cortegana të The Athletic, 23-vjeçari u detyrua të fshinte një mesazh që ai ndau në grupin e lojtarëve në WhatsApp, në të cilin ai argumentonte se ekipi është më shumë se tre shokët e tij të skuadrës.

 

“Hej djema, rezultati i djeshëm nuk ishte ai që donim. Në La Liga, çdo pikë bën një ndryshim në fund. Jam i kënaqur me golin dhe rritjen e ekipit. Javën e kaluar ata folën për treshen Bellingham, Mbappe dhe Vini, por do të duhet të shtojnë ‘R’ për Rodrygo në këtë akronim”.

“Ne kemi katërshen sulmuese dhe pjesën tjetër të ekipit, secili ka rëndësinë e tij në ndeshje dhe do të tregojë vlerën e tij në garat e ndryshme ku do të garojmë. Do të jetë një javë e ngarkuar deri në ndeshjen tjetër në Bernabeu”, ka shkruar Rodrygo.

Sipas Cortegana, mesazhi shkaktoi polemika dhe si rezultat u fshi. Por, Cortegana mbrojti Rodrygon me anë të një postimi të tij në platformën X. /Telegrafi/