LAJMI I FUNDIT:

Rivaliteti politik për primatin në dialog – Kurti thotë se Qeveria do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces

Rivaliteti politik për primatin në dialog – Kurti thotë se Qeveria do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces
Foto: Arkiv

Në procesin e dialogut Kosovë-Serbinë, i cili synohet të rifillojë në të ardhmen me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje që do të zgjidhte kontestin mes dy vendeve, roli i përfaqësuesve të institucioneve më të larta politike të Kosovës do të diskutohet mbi bazën e një konteksti të ri politik, në të cilin aktualisht është vendi, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Vitet e fundit, rolin udhëheqës në dialogun me Serbinë, e ka pasur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk beson që mund të ketë një ekip “ku është edhe kryeministri, edhe presidenti”, pasi që sipas tij, nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë.


Sipas njohësve të zhvillimeve politike, tashmë ekziston një vlerësim i Gjykatës Kushtetuese të vendit, i cili i definon rolet e institucioneve në procesin e dialogut me Serbinë.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë që Presidenca dhe Kryeministria kanë përgjegjësi institucionale që t’i bashkërendojnë qëndrimet e tyre dhe të përfaqësojnë me një zë pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila ia ka konfirmuar përgjegjësinë dhe kompetencat kushtetuese Qeverisë që të udhëheqë me procesin e dialogut, duke e qartësuar se ajo e ka një rol dhe përgjegjësi të atillë dhe se ajo nuk mund t’i bartet asnjë institucioni tjetër”.

“E dyta, ky aktgjykim ka konfirmuar që presidenti i vendit ka vetëm një rol konsultativ në këtë mes. Ndonëse ia njeh rolin presidentit, konsideron që roli i tij në raport me kryeministrin mund të zhvillohet vetëm në margjinat e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve”, thekson Kryeziu.

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që bazuar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, barra kryesore në procesin e dialogut me Serbinë do të bjerë mbi Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, presidenti ka kompetenca kushtetuese për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit dhe ai, në procesin e dialogut, duhet të sillet në përputhje me këto kompetenca.

“Unë nuk shoh se mund të ketë probleme në qasjen që do ta kenë institucionet karshi bisedimeve me Serbinë, në qoftë se presidenti dhe kryeministri, thjesht, i shfrytëzojnë kompetencat e veta. Natyrisht që asnjëri nga këta, si pozicione, nuk e përjashtojnë njëri – tjetrin, pra dhe nuk duhet të jetë kështu. Me rëndësishme se sa ajo se cili do të mund të ketë më shumë përgjegjësi, respektivisht, cili do të mund të imponohet, kushtimisht, më shumë, është që të arrihet një lloj konsensusi i përgjithshëm për sa i përket bisedimeve me Serbinë, por edhe mbështetja e opozitës”, thotë Mushkolaj.

Ai shton se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuar për emra të përveçëm, si garanci për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje, për shkak se pozicionet dhe kompetencat lidhur me këtë i ka qartësuar Gjykata Kushtetuese.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se praktikat e deritashme kanë treguar se ka pasur rivalitet politik ndërmjet presidentit Thaçi dhe Albin Kurtit, i cili tashmë është kryeministër i ri i vendit. Por, sipas tyre, ky rivalitet, jo rrallë ka dalë përtej kësaj kornize duke u përcjellë me tone që kanë armiqësuar të dy rivalët politikë.

Kryeziu shpreh mendimin që nuk përjashtohet mundësia që të përsëriten fërkimet ndërmjet Thaçit dhe Kurtit, lidhur me rolin udhëheqës në dialogun me Serbinë, pavarësisht qartësisë që jep vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Çfarëdo lloj mospajtimi ndërmjet Presidencës dhe Kryeministrisë, e cila shpërfaqet në publik, e sidomos në takimet me karakter ndërkombëtar, është e dëmshme dhe mund t’u shkaktojë dëme të pariparueshme pozicioneve negociuese të Kosovës, të cilat edhe ashtu tashmë janë në nivel të ulët. Pres që të ketë maturi, në mënyrë që Kosova të ketë përfaqësim të denjë. Është koha e fundit që Kosova të ketë qasje pro-aktive ndaj dialogut e jo siç ka ndodhur deri më tani, ku secili pozicion negociues i Kosovës ka ndodhur vetëm si rezultat i reagimeve nga forcat e jashtme”, shprehet Kryeziu.

Analisti Imer Mushkolaj, megjithatë, vlerëson që mund të ketë shpërthime inatesh ndërmjet Thaçit dhe Kurtit, por situatat e tilla do të shkrihen me kalimin e kohës dhe secili do t’i marrë parasysh përgjegjësitë e veta që u japin ligjet dhe Kushtetuta. Shembull për këtë, sipas tij, ishte edhe takimi Thaçi-Kurti, para se ky i fundit të mandatohej për kryeministër të vendit, ndonëse ka pasur mjaft zëra se takimi nuk do të ndodhte fare.

“Me kalimin e kohës do të vijnë duke u shkrirë këto situata, që deri tash e kanë mbajtur njëfarë ngërçi në kuptimin e rivalitetit politik, që shpeshherë ka kaluar edhe përtej një rivaliteti të zakonshëm dhe secili do t’i marrë parasysh përgjegjësitë e veta që u japin ligjet dhe Kushtetuta”, vlerëson Mushkolaj.

Fërkime eventuale, sipas tij, mund të ketë vetëm në raport me idetë që mund të hidhen në tavolinë, nëse eventualisht ato konsiderohen të rrezikshme për vendin dhe që si të tilla, mund të kthehen në marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Në trend Lajme

Më shumë

"Hykmete ku është paswordi?" - Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja për platformën e digjitalizimit prej 5.6 milionë euro

Lajme
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Drejtësi
Kokaina nga Amerika Latine e fshehur në lëkurë gjedhësh përpunohej në laboratorin e Fushë Krujës, 10 të arrestuarit dalin në GJKKO

Kokaina nga Amerika Latine e fshehur në lëkurë gjedhësh përpunohej në laboratorin e Fushë Krujës, 10 të arrestuarit dalin në GJKKO

Lajme
Rama premton 100 dhe 150 euro bonus fundviti për pensionistët

Rama premton 100 dhe 150 euro bonus fundviti për pensionistët

Lajme
Kurti për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut: Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Kurti për çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut: Pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Lajme
Bajrami i reagon Kelmendit: Pyetni Jusuf Thaçin dhe Arben Vitinë për projektin e digjitalizimit

Bajrami i reagon Kelmendit: Pyetni Jusuf Thaçin dhe Arben Vitinë për projektin e digjitalizimit

Lajme
Kalo në kategori