LAJMI I FUNDIT:

Rinia në jetën politike

Të rinjtë e sotëm në Kosovë po e shikojnë politikën si diçka që nuk ju përket atyre dhe nuk duhet jetuar me të. Të rinjtë nuk merren me jetën aktive politike, sepse kanë krijuar bindjen se nuk ia vlen të merret me politikë.

Qëllimi i të rinjve kosovar duhet të jetë që ata t’i mbrojnë të drejtat e tyre juridike, politike dhe ekonomike, duke u angazhuar që detyrat e tyre t’i kryejnë në përpikëri si gjithë rinia evropiane. Të rinjtë kosovarë duhet që përmes angazhimit të tyre të kyçen shumë aktivishtë, të studiojnë më shumë, të mësojnë dhe të respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, të mos shikojnë mundësinë e largimit nga vendi përmes rrugëve dhe formave të ndryshme ilegale ani pse jeta sociale në vendin tonë është tepër e rënde.


Përkundër këtyre sakrificave, rina jonë duhet përpjekur që të largohet nga rrugët jo të dobishme për rininë, të largohet nga përdorimi i lëndëve të ndryshme narkotike, të largohet nga makiatot, të cilat janë trend negativ për shoqërinë, pasi përdorimi i tepruar i tyre po ndikon në largimin e shoqërisë nga jeta intelektuale dhe shkencore, nga mjediset ku kultivohet kultura dhe e ardhmja e vendit. Pra rinia jonë në Kosovë duhet të luftojë dhe të mbrojnë të drejtat personale dhe kolektive si në aspektin juridik dhe në atë sociologjik.

Rinia jonë duhet të ketë një objektiv para syve, të dallojë të mirën dhe të keqen. Më këtë rinia duhet të ofrojë argumente të bollshme që të mirën ta kultivojë jo me armë, jo me luftë patriotike, por me ide progresive, qëllimmira e të cilat sjellin vizione për të ardhmen e vendit tonë.

Ndërsa luftimin e së keqes dhe ideve pesimiste duhet mënjanuar në çdo rrethanë dhe variant, por jo duke thënë se politika nuk ju shërben për asgjë. Politika shërben për të qartësuar rrugën dhe të ardhmen e vendit tonë, për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, për kultivimin e jetës akademike shkencore, për shëndetësi më të mirë, për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik për vendin, për dinjitet dhe respekt të ndërsjellët qytetarë. Rinia jonë në Kosovë nuk duhet të humb besimin në politikë. Duke thënë se ‘kemi humbur besimin në politikë’, nuk arrihet asgjë, përkundrazi kjo qasje është e keqja më e madhe për vendin tonë, për të ardhmen e gjeneratave të reja.

Andaj të rinjtë tanë në Kosovë duhet të largojnë idetë pesimiste dhe të kultivojnë ide të cilat cojnë drejt zhvillimit të vendit. Të rinjtë tanë duhet të veprojnë, duhet të jenë aktorë të mirë, të rëndësishëm, të suksesshëm dhe frutdhënës në jetën politike. Ky model i rinisë është model edhe i vendeve tjera që kanë prosperuar në të ardhmen e vendeve të tyre andaj edhe ne duhet të krijojmë dhe kultivojmë të ardhmen e vendit tonë.

(Autori ka diplomuar në Filozofi dhe Juridik dhe është në përgatitje finale të temës së masterit në të Drejtën Penale në UP-së)