LAJMI I FUNDIT:

Rikthimi i Luftës së Ftohtë

Këshilli i Sigurimit që prej themelimit të tij, asnjëherë nuk ka vepruar bazuar ekskluzivisht në të Drejtën Ndërkombëtare. Madje, kur janë cenuar interesat e pesëshes (SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britania e Madhe) që gëzojnë të drejtën e vetos, KS ka reflektuar si një instancë e pastër politike që merr vendime varësisht nga interesat e akëcilës fuqi, respektivisht palë.

Kështu ishte në rastin e luftës në Kosovë dhe intervenimit të NATO-së, kështu ndodhi edhe me Ruandën, por edhe me Irakun, Libinë dhe tashti po ngjet edhe me Sirinë. Në këto raste në fakt Bashkësia ndërkombëtare, nëse gjërat venerohen nga prizmi i pastër i legalitetit, do të duhej dënuar, për faktin se ka toleruar ushtrim të gjenocidit, pastaj vrasjen e qindra-mijëra njerëzve të pafajshëm, civilëve, grave, fëmijëve e pleqve.


Por, që nga rasti i Kosovës, edhe e Drejta Ndërkombëtare Publike ka pësuar ndryshime esenciale pozitive. Ajo tashmë nuk është viktimë e luftërave për dominim politik të superfuqive, por as edhe viktimë e ngurtësisë interpretative të shemave juridike. Madje rasti i Kosovës ka legjitimuar plotësisht një lloj të ndërhyrjes protektoriale (right to protect), një lloj detyrimi për ndërhyrje nga ana e Bashkësinë Ndërkombëtare në shërbim të mbrojtjes së grupeve etnike të pambrojtura, pjesëve të tëra të popullsisë që bëhen objekt keqtrajtimi nga qeveritë e papërgjegjshme apo palëve politike në konflikt.

Në raste të kësaj natyre, ushtrimi i së drejtës së vetos nga ana e njërës nga pesë superfuqitë që gëzojnë këtë të drejtë politike, nuk suspendon moralin dhe të drejtën e Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërhyrje ushtarake.

Çështja tashmë shtrohet në rrafshin e pastër politik të gjykimit. Kjo e drejtë për ndërhyrje nga akëcila superfuqi në cilindo kënd të globit, a ka gjasa të keqpërdoret në dobi të interesave të pastra politike.

Le t` i hedhim për një çast një sy rastit të Sirisë. Çështja as nuk ka gjasa të dërgohet në Këshillin e Sigurimit, meqë që tashti është e qartë se Rusia do të ushtrojë të drejtën e saj të vetos. Ndërkaq, mundësia për verifikimin e saktë se kush ishin përdoruesit real të gazit helmues – ushtria e Bashar Al-Asadit, apo një pjesë e opozitës që supozohet se ka shfrytëzuar këtë akt për të krijuar alibinë e ndërhyrjes amerikane – mbetet e hapur.

Në këtë rast, e qartë, para se të ndërhyhej ushtarakisht, do të duhej të pritej rezultati i testit që do ta sjellin Inspektorët e OKB-së të ngarkuar për këtë çështje. Ky fakt, por edhe përgatitja e opinionit për intervenim jo vetëm në SHBA, na sjell në vëmendje rastin e intervenimit në Irak më 2003. Atëbotë, nëse do të pritej rezultati i inspektorëve lidhur me hulumtimet në terren, ish presidenti amerikan George W. Bush, nuk do ta fillonte dot luftën në Irak. Dhe nëse po, gjithsesi intervenimin nuk do ta motivonte me thirrjen se diktatori irakian, Sadam Huseini, na qenka posedues i armëve për shfarosje masive.

Ndërkaq sot, në rastin konkret të Sirisë, leksioni me Irakun na mëson se para intervenimit do të duhej që bashkësia ndërkombëtare ta kishte të qartë se çfarë pretendohet të arrihet me shfronësimin e një diktatori (siç është rasti me Bashar Al-Asadin), apo një elite a force politike (siç ishte rasti me Vëllazërinë Myslimane në Egjipt).

Trazirat në Kosovë në vitin 2004 kishin dëshmuar se edhe në rastin e Kosovës, Bashkësia Ndërkombëtare ose një pjesë e mirë e saj, përfshirë edhe një lagje shtetesh të BE-së, nuk e kishte krejtësisht të qartë se çfarë do të bëhej me Kosovën pas intervenimit: do të lejohej të shkonte ajo drejt pavarësisë së plotë, apo do të risilleshin në tavolinë skenarë shtesë. Fakti se Kosova as dje e as sot nuk po trajtohet nga historiografia evropiane si ish koloni e Serbisë, por si një ish provincë e saj, flet për një dualizëm të theksuar politik tejet të dëmshëm për perspektivën e rajonit. Ndërkaq, imponimi i vazhdimit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, tashmë në Bruksel, edhe pas shpalljes së pavarësisë (17 shkurt 2008), duke e shndërruar në palë Serbinë agresore, flet në dobi të variantit të dytë – ekzistencës së skenarëve shtesë e në dëm të sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.

Takimi i G-20 në Shën Petersburg hodhi dritë mbi përpjekjet e Rusisë për të ringjallur epokën e Luftës së Ftohtë, respektivisht atë të ndarjes së sferave të interesit mes Rusisë dhe SHBA-ve. Dhe me këtë u dëshmua se e drejta ndërkombëtare në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet tutje një resurs i dobët.

Për interesat amerikane në Lindjen e Afërt mbrojtja e Izraelit mbetet gjithsesi prioritet i klasit të parë. Në këtë kuadër pretendimet e Uashingtonit dhe Tel Avivit për rrëzimin e qeverisë së Asadit, në sfondin e dobësimit të Iranit, mbesin të rëndësisë së veçantë. Sidoqoftë, në këtë ndërmarrje duket se po përsëritet gabimi i ndërhyrjes amerikane në dobi të kryengritësve afganë (muxhahedinëve para së gjithash) në luftë kundër Rusisë (1979). Ndërkaq, ndërhyrja në Siri, po të bëhej që në fillim të shpërthimit të protestave masive të popullsisë kundër diktatorit Asad, hapësira për dominim të grupeve të islamit radikal, para së gjithash selefi, nuk do të arrinin të konsolidoheshin dhe të kishin peshën që kanë ato sot. Këto grupe, falë edhe rrjetit të organizuar që kanë, kanë ushqyer këto radhë me vullnetarë nga e gjithë hemisfera islame, duke mos përjashtuar, për fat të keq, as hapësirën shqiptare.

Samantha Power, ambasadorja amerikane në OKB, fare hapur u deklarua se qeveria e saj as që do të bëjë përpjekje për të sjellë farë projektrezolutë për miratim në Këshillin e Sigurimit lidhur me legjitimimin e ndërhyrjes në Siri. Sërish, qeveria e SHBA-ve, duke reflektuar si fuqia dominuese në botë, do të veprojë, nëse e sheh të arsyeshme, edhe pa mbështetjen e OKB-së.

Kapitulli i VII-të i Kartës së OKB-së parasheh ndërhyrjen ushtarake vetëm në dy raste: nëse një shtet sulmon një shtet tjetër ose në rast se paqja botërore vihet në rrezik. Për të dy rastet, megjithatë vendos Këshilli i Sigurimit. Në epokën e Luftës së Ftohtë, meqë dihej qartë se asnjëra nga palët dominuese nuk do të mbështeste pikëpamjen e palës tjetër, intervenimi bëhej sipas skenarit të njëanshëm, duke mos përfillur Kartën e OKB-së dhe kapitullin në fjalë.

Bombardimi i popullsisë civile në Siri gjithashtu paraqet shkelje të rëndë të të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare, ashtu si edhe përdorimi i armëve kimike. Pavarësisht kësaj, miratimi i çfarëdo rezolute në Këshillin e Sigurimit, falë bllokadës që ushtrojnë aktualisht Rusia dhe Kina, përmes të drejtës së vetos, pamundëson de fakto legjitimimin e veprimeve në emër të bashkësisë ndërkombëtare.

E drejta e vetos që gëzojnë pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, si një relikt i Luftës së Dytë Botërore, tashmë është bërë pengesë edhe e reformimit të OKB-së. Diçka të ngjashme kishim edhe gjatë gjithë epokës së Luftës së Ftohtë. Sidoqoftë, që prej rënies së Murit të Berlinit dhe shtendosjeve që përjetoi Bashkësia Ndërkombëtare, e drejta ndërkombëtare ka pësuar ndryshime cilësore. Ndërkaq, rasti i Sirisë dhe intervenimi i SHBA-ve pa përfillur kartën e OKB-së, më së paku që mund të thuhet, është se rrezikon erozionin e mëtejshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe me këtë rikthimin në epokën e Luftës së Ftohtë. Mu për këtë, reformimi i OKB-së tashmë rezulton si një domosdoshmëri, ndërkaq në zinxhirin e ngjarjeve në Lindjen e Afërt pas intervenimit amerikan në Siri, do të mund të shërbente gjithsesi si preventivë reale e shmangies së luftës së tretë botërore.