Mbrëmë janë zhvilluar katër ndeshje në ligën më të fortë të basketbollit NBA.

Denver Nuggets mposhti Chicago Bullsin me rezultat prej 110:107 pas një rikthimi sensacional të rezultatit.


Bullsat e startuan për mrekulli ndeshjen kur arritën avantazhin 31:19 pas vetëm 12 minutave të para. Por, basketbollistët e Nuggets përmbysën gjithçka në çerekun e dytë pas një serie të pabesueshme prej 24-0 për të marrë avantazhin 41:31, transmeton Telegrafi.

Jamal Murray shënoi 24 pikë dhe pati 6 kërcime. Gallinari shtoi 15 dhe Nurkić regjistroi ‘double-double’ me 14 pikë dhe po aq kërcime.

Jimmy Butler në anën tjetër realizoi 35 pikë, 8 kërcime dhe 5 asistime, ndërsa Dwayne Wade shtoi 22 pikë dhe tre kërcime.

Ndryshe kjo ishte fitorja e gjashtë për Denverin kundrejt tetë humbjeve ndërsa Bullsat regjistruan gjashtë humbje dhe kanë nëntë fitore. /Telegrafi/

Rezultatet tjera: New Orleans 112: 94 Atlanta

New York 107:103 Portland

L.A. Lakers 111-109 Oklahoma