Sandalet e njohura që na kanë shoqëruar që nga fëmijëria po rikthehen në një pamje të re dhe ndryshe. Jemi të sigurt se çdo grua do të dëshirojë t’i ketë në koleksionin e saj, veçanërisht këtë verë që kemi përpara

Ashtu si çdo sezon i verës që sjell prurje të reja në modë, edhe kësaj radhe, përveç modeleve klasike, do të shfaqen edhe disa më trendi.


Bëhet fjalë për sandalet me litar, një stil që pritet të bëhet hit në kombinimet e përditshme dhe të lira të kësaj vere.

Sandalet me litar, ashtu siç e thotë edhe vetë emri i tyre, karakterizohen nga një litar i hollë që zëvendëson rripat klasikë prej lëkure apo materiali plastik.

Ato shfaqen në ngjyra neutrale si e zeza dhe kafeja, por janë shumë më të zakonshme në nuanca të ndezura si portokallia, e kuqja, jeshilja e të tjera, transmeton Telegrafi.

Të frymëzuara nga stili i alpinistëve që nuk i ndajnë këpucët e sheshta dhe litarin nga pajisjet e tyre, këto sandale sjellin një përzierje të guximshme mes sportives dhe urbanes.

Tani më shumë se kurrë, ky model po vishet në kombinime të përditshme, si me pantallona të shkurtra Bermuda, bluza pa mëngë ose me mëngë të gjera, apo me këmisha të zbërthyera prej liri.

Por mundësitë nuk ndalen këtu. Këto sandale përshtaten po aq bukur edhe me minifunde xhins, funde maksi apo fustane të lehtë verorë. Janë me të vërtetë një pjesë veshjeje që mund të stilizohet në pafundësi mënyrash.

Ky model ka nisur ngadalë, por me siguri, të zërë vend në raftet e dyqaneve të shumta dhe me shumë gjasë do të gjeni një model që i përshtatet stilit tuaj. /Telegrafi/