LAJMI I FUNDIT:

Ribotohet dhe përurohet “Lindur për t’u bërë mjek” i autores Migena Arllati

Ribotohet dhe përurohet “Lindur për t’u bërë mjek” i autores Migena Arllati

Të shtunën, në datën 16 Maj 2015, ora 11, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, promovohet libri monografi me titull "Lindur për t'u bërë mjek" i autores Migena Arllati, kushtuar Dr. Primarius Rifat Lila.

Vepra ka një qasje shpërfaqëse mbi jetën dhe veprimtarinë e mjekut të njohur gjakovar, Dr. Rifatit i cili është i çmuar, i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë gjakovarët dhe më shumë më gjerë se kaq, për të mirat, kujdesin dhe interesimin që ka treguar nga pikëpamja humane dhe profesionale për ta. Mbi këtë sintagmë, Migena Arllati, e shkruan këtë monografi, e cili është e pajisur edhe me dokumente të ndryshme faktografike dhe të tjera.

Figura, imazhi dhe pasqyrimi i jetës dhe veprës së Dr. Rifat Lilës, shënuar në analet monografike personale në njërën anë, por edhe të përgjithshme e kolektive, në anën tjetër, del e plotë dhe interesante. Figura e kolosit mantelbardhë Dr. Rifat Lilës në këtë vepër mbarështohet kujdesshëm, duke lëvizur dhe duke u skalitur nëpër të gjitha hallkat e zinxhirit të jetës dhe veprës së tij nga lindja e deri në ditët e sotme, ngase ai ende jeton dhe punon në Gjakovë, si mjek tashmë i pensionuar.


Vepra monografike “Lindur për t’u bërë mjek” për Dr. Rifat Lilën e shkruar nga Migena Arllati, hapet me vargjet përkushtuese të poetit të njohur Din Mehmeti, që ia kushtoi këtij mjeku, mik i tij, në poezinë me titull metaforik “Njeriu i bardhë”. Poeti në këtë poezi, Dr. Rifatin e simbolizon me bardhësinë, me shpresën e jetës, vetëtimën, flakadanin e ndërgjegjes.

Ndërkaq shkrimtari, veprimtari dhe njeriu patriot i paepur, Murteza Xajë Nura, për të shprehet: “Dr. Rifat Lila, i emancipuar në qytetari prezente, i devotshëm, ku në çdo situatë ka mrekulluar me vepra të njerëzishme, është personalitet me energji të palodhshme, të cilën gjithmonë e mbajti në nivel. E kam më shumë se mik, doktor të gatshëm në çdo moment të familjes…”.

Gjuha, ndërtimi sintaksor i fjalive, qartësia, forma dhe stili i shtrirë e artistik i përdorur nga autorja Arllati, përkojnë, madje edhe dallohen në këtë vepër. Monografia vjen nën recensimin e publicistit Shaqir Foniqi dhe mjekut Sulejman Rexhepi. Ajo është botuar për herë të parë në Nëntor të vitit 2012 në Gjakovë dhe ribotohet në Maj të vitit 2015 në saje të kërkesës së shprehur dhe përsëritur prej kohësh të miqve, pacientëve, bashkëpunëtorëve të Dr. Rifatit në Gjakovë, Prishtinë dhe më gjerë. /Telegrafi/