Pavarësisht deklaratave të ashpra dhe denoncimeve në opinionin publik kosovar pas rezultateve të testit të PISA-s, ku Kosova u zhyt në fund të renditjes botërore, pakkush shprehet i befasuar nga rezultati, ndërsa kontestime nuk ka.
Ekspertë të fushës së arsimit në Kosovë vlerësojnë se rezultatet e marra nga vlerësimi i PISA-s janë alarmuese dhe përgjegjësia duhet të kërkohet tek institucionet dhe shoqëria përderisa Ministria e Arsimit hedh fajin në qeverisjet e kaluara.
Megjithatë, as ata e as zyrtarë të qeverisë së Kosovës nuk janë shprehur të çuditur nga zhytja e Kosovës në fund të renditjes botërore të cilësisë së arsimit, por ekziston një pajtim se duhen marrë masa.
Në testin e fundit të publikuar të PISA-s, Kosova u rendit e fundit në Ballkan, e fundit në Evropë dhe në vendin e tretë nga fundi mes 72 vendeve që morën pjesë në nivel botëror, në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD).
Eksperti i Arsimit, Jusuf Thaçi, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se përgjegjësia për këtë gjendje në arsim është e të gjithë zyrtarëve të kësaj fushe që nga paslufta e deri më sot.
“Këto rezultate nuk duhen asesi të lidhen me një institucion apo individ, këto janë rezultat i komplet punës në sistemin e arsimit që nga paslufta deri më sot, që i bie se të gjithë janë fajtorë për këtë gjendje, të gjithë ministrat e deritanishëm, qeveritë e deritanishme, gjithë mësimdhënësit e drejtorët e shkollave pa përjashtim”, tha Thaçi.
Ai theksoi duhej që diçka e tillë të shërbente si një kambanë alarmi.
Me publikimin e rezultateve të PISA-s, doli që Kosova radhitet në vendet e fundit sa i përket aftësisë së nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë.
Sipas këtyre rezultateve nxënësit 15-vjeçarë të testuar në Kosovë, në masë të madhe nuk kanë arritur nivelet minimale as në lexim.
Megjithatë, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ky rezultat është konsideruar si reflektim i punës së ministrive të kaluara e që do të arrijë të përmirësohet në tre vitet e ardhshme nga udhëheqësia aktuale e MASHT-it.
Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, tha se në deri në kohën kur do të bëhet testimi i ardhëm PISA në vitin 2018, Kosova do të arrijë nivelet e vendeve të BE-së sa i përket këtyre rezultateve.
“Kjo situatë reflekton gjendjen 2010, 2014, periudhën para ardhjes time si ministër dhe jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”, tha Bajrami.
E kjo deklaratë e ministrit, sipas Thaçit, jo vetëm nuk duhet marrë seriozisht, por madje është përfaqësuese e të njëjtës mendësi që ka kontribuuar në situatën e sotme të arsimit në Kosovë.
“Pikërisht kjo mendësi me bo shaka me arsimin na ka sjellë në këtë gjendje ku jemi sepse thuhet se do t’i përmirësojmë rezultatet, do t’i arrijmë rezultatet e vendeve të zhvilluara brenda tri vitesh, është më shumë se shaka nga ana e institucioneve”, tha Thaçi.
Sipas Dugagjin Popovcit, Drejtor i Qendrës Kosovare për Arsim (KEC) këto rezultate, përveçse reflektojnë gjendjen e sistemit arsimor ato tregojnë edhe gjendjen ekonomike si rrjedhojë.
“Ne duhet ta kuptojmë dhe të këndellemi se arsimi është vërtet prioritet, sepse arsimi sot është faktikisht ekonomia nesër dhe nuk është e thënë gjithnjë se Kosova duhet të jetë e fundit në Evropë, në arsim në ekonomi edhe në demokraci e fundit, dhe në të gjitha fushat e fundit”, tha Popovci.
Sipas tij, gjendja është brengosëse dhe do duhej të perceptohej si e tillë edhe në shoqëri.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se rezultatet e PISA-s duheshin marrë me “seriozitetin më të madh… tash urgjencë është përmirësimi në të gjitha nivelet i kualitetit të arsimit në Kosovë”.
Megjithatë, pavarësisht tronditjes së shkaktuar, sipas Jusuf Thaçit, rezultatet nuk duhet të çuditin askënd. “Rezultatet e PISA-s kanë treguar gjendjen që ne veç e kemi ditur por nuk kemi dashur të pranojmë ose nuk kemi pasur një rezultat ndërkombëtar që të na e konfirmojë sistemin e dërmuar të arsimit në Kosovë”, tha ai.
Vetë ministri i Arsimit, duke vendosur përgjegjësinë ekskluzivisht mbi paraardhësit e tij, i kishte ulur pritshmëritë për rezultatet ende të papublikuara, duke thënë “pritjet tona për vlerësimin PISA, janë reale pra nuk presim rezultate të mira”.
Të dhënat e detajuara të PISA-s për Kosovën
Kosova është radhitur si e treta nga fundi, prej 72 vendeve që kanë marrë pjesë vullnetarisht në testimin e PISA-s.
Pas Kosovës në këto rezultate janë vetëm Algjeria dhe Republika Dominikane.
Sa i përket krahasimit me vendet e Ballkanit, Kosova është e fundit në të tre fushat kyçe të PISA-s që janë leximi, matematika dhe shkenca.
Rezultatet e PISA-s renditen në 6 nivele nga 300 si minimali deri në 600, ndërsa mesatarja e OBEZH-it është 500.
Arritjet e përgjithshme të Kosovës në këto nivele sillen rreth 350.
77 për qind e nxënësve të testuar kosovarë nuk arrijnë aftësitë minimale të leximit që do të thotë se ata nuk e njohin idenë kryesore në një tekst dhe nuk mund të bëjnë interpretimin e domethënies brenda një pjese të kufizuar të testit.
Krahasuar me Slloveninë, si vendi me rezultatet më të mira në Ballkan, nxënësit që e kanë këtë nivel janë më pak se 20 për qind.
Në shkencë rezultatet janë pak më të mira por ende nën nivelin e shteteve të OBEZH dhe atyre ballkanike.
68 për qind e nxënësve në fushën e shkencës janë nën nivelin minimal për të cilën prapë ekziston mospërputhje e madhe ndërmjet Sllovenisë, si vendi me rezultatet më të mira në Ballkan.
Në matematikë, nxënësit nën aftësitë minimale janë 78 përqind e atyre që u janë nënshtruar testimit.
Sipas rezultateve të këtij viti, vendet në krye të renditjes së PISA-s janë Japonia, Koreja dhe Holanda.
Me rastin e prezantimeve të këtyre rezultateve, Dagmar Fuchs-Schmitz, udhëheqëse e programit “Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Fillor” nga GIZ, bëri thirrje për kujdes të shtuar.
“Në mënyrë që të mbahet zhvillimi shoqëror, ekonomik, kulturor dhe politik i secilit vend ju duhet edukimi, që të zhvillohet ekonomia. Kjo do të thotë se edukimi është vital për riprodhimin e shoqërisë. Nuk është diçka që është mirë ta keni, është diçka që duhet ta keni”, tha Fuchs-Schmitz.
Në vitin 1989, regjimi serb i udhëhequr nga Slobodan Millosheviq i dha fund autonomisë së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë, me ç’rast Kosova humbi të drejtat legjislative dhe sovranitetin mbi çështje lokale siç është edhe arsimi.
Në vitin 1991, nxënësit dhe studentët shqiptarë nuk u lejuan të arsimohen në shkolla, gjimnaze dhe universitete duke paralizuar arsimin e shumicës shqiptare në Kosovë.
Mbi 100 mijë nxënës në atë kohë u zhvendosën në mënyrë të përhershme në 3,200 shtëpi private, garazhe dhe bodrume që u kthyen në shkolla të improvizuara.
Pas luftës, në vitin 1999, institucionet arsimore të Kosovës filluan të funksionojnë në mënyrë të pavarur, por përmes vështirësish të shumta. /KALLXO.com/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Akuzoi Prokurorinë Speciale për luftë ndaj Kurtit, KPK i reagon Muratit: Përpjekjet për të minuar kredibilitetin janë të dështuara
Bastisje në Kumanovë, ndalohet një person për posedim të armëve
Haxhiu: Sot në të gjitha shkollat në orën e parë të mësimit do të diskutohet për dhunën në familje
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A