LAJMI I FUNDIT:

Revolucioni i Sirisë është në udhëkryq

Revolucioni i Sirisë është në udhëkryq

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Nga eklipsi që shkaktoi pantomima surreale e Donald Trumpit në Gazë, planet e Pentagonit – që nuk janë bërë publike – për të tërhequr dy mijë trupa amerikane nga Siria lindore, morën pak vëmendje javën e kaluar. Këto trupa ndihmojnë forcat vendase të kurdëve të Sirisë që të mbajnë nën kontroll kërcënimin e mbetur nga xhihadistët e Shtetit Islamik, nëntë mijë prej të cilëve mbahen në kampe burgu. Nëse ShBA-ja largohet, ekziston frika e një arratisjeje masive dhe, me kalimin e kohës, një kërcënim i ringjallur terrorist i ISIS-it ndaj Evropës, Britanisë dhe Perëndimit.

Tërheqja e mundshme amerikane është pjesë e një gjëegjëze të ndërlikuar siriane, që po sfidon si miqtë ashtu edhe armiqtë – që pas rrëzimit, në dhjetor, të diktaturës së Bashar al-Assadit. Ndryshe nga Trumpi, Turqia, Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit – që garojnë për ndikim – duan të përfshihen më shumë në Siri – jo më pak. Evropa kërkon një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik ku refugjatët mund të kthehen të sigurt. Izraeli, paranojak dhe agresiv, sheh vetëm kërcënime të mundshme, ndërsa Rusia dhe Irani, që janë mposhtur, kërkojnë të rimarrin terren.


I mbërthyer në mes është Ahmed al-Sharaa, ish-luftëtar i al-Kaidës, udhëheqës i milicisë islamiste Hayat Tahrir al-Sham (HTS) që përmbysi Assadin dhe që është presidenti i sapoemëruar i përkohshëm i Sirisë. Nga ai, në një masë shqetësuese, varet e ardhmja e këtij vendi të shkatërruar dhe të ndarë. Përreth tij, gjeografia politike dhe balanca e pushtetit në Lindjen e Mesme po transformohen në mënyrë radikale.

Një pyetje mbizotëron: rrëzimi i Asadit ishte një lajm i rrallë i mirë në një rajon ku shpresa është e pakët. A është tani në rrezik mundësia që përfaqëson ky revolucion popullor?

Në takime me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, Sharaa deklaroi se përparësitë e tij ishin mbrojtja e integritetit territorial të Sirisë, bashkimi i fraksioneve rivale në një ushtri kombëtare, krijimi i një administrate të zgjedhur gjithëpërfshirëse dhe rindërtimi pas 13 vitesh lufte civile. Detyra është gjigante, ndërsa Sharaa është i papërvojë. Disa dyshojnë nëse ai i ka braktisur rrënjët e veta radikale. Megjithatë, për mungesë alternativash më të mira, ndihma ndaj tij është një bast që liderët rajonalë duhet ta hedhin.

Erdoğani, i cili mbështeti rebelët e HTS-së në bazën e tyre në Idlib, ka prioritetet e veta egoiste. Ai shpreson të ushtrojë ndikim afatgjatë mbi këtë ish-territor osman. Ai dëshiron që tre milionë sirianë të zhvendosur në Turqi të kthehen në shtëpi – me kontrata të majme për rindërtimin. Mbi të gjitha, ai kërkon fundin e asaj që ai sheh si kërcënim terrorist kurd.

Integrimi i propozuar nga Sharaa i luftëtarëve kurdë të Sirisë – të grupuar në Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga ShBA-ja – në ushtrinë e tij të re kombëtare, i përshtatet Turqisë. Erdoğani nuk bën dallim midis SDF-së dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një kryengritje në juglindje të Turqisë që nga vitet ’80 të shekullit XX. Trupat turke mbajnë nën pushtim zona të veriut të Sirisë. Dhe, Ankaraja sponsorizon Ushtrinë Kombëtare Siriane – një llum të milicisë arabe që shpesh përplaset me SDF-në.

Turqia argumenton se mund të udhëheqë luftën kundër ISIS-it, ndaj nuk ka nevojë që forcat amerikane të vazhdojnë të bashkëpunojnë me kurdët e Sirisë – një pretendim ky i dyshimtë. Por, kjo ide i pëlqen Trumpit, i cili gjatë mandatit të tij të parë u përpoq pa sukses të tërhiqte trupat amerikane. Tani Trumpi thotë, me një miopi politike, se Siria “nuk është lufta jonë”. Dhe, është e vërtetë që një vendim i ShBA-së për të braktisur aleatët e saj kurdë do të hiqte një nga pengesat kryesore në marrëdhëniet ShBA-Turqi.

Por, ka një problem – në fakt, disa. Kurdët e Sirisë me të drejtë preferojnë të ruajnë autonominë e fituar me mund të rajonit të tyre – Rojavës. Ata nuk duan të përfshihen në një ushtri të drejtuar nga Sharaa, milicinë e të cilit dikur e luftuan. Dhe, nuk kanë asnjë interes të ndihmojnë Turqinë të shtypë ëndrrën e kahershme të vetëvendosjes kombëtare në rajonet me shumicë kurde në Siri, Irak, Iran dhe Turqi – edhe nëse, sipas raportimeve, lideri i burgosur i PKK-së, Abdullah Öcalan, është gati të heqë dorë.

Përsëri, çështja kurde po përballet me një pikë kthese – dhe rrezikon një përplasje të njëkohshme me Damaskun dhe Ankaranë.

Akterët e tjerë rajonalë mund të jenë të lumtur ta shohin Sharaan të dështojë. Izraeli shfrytëzoi kaosin e rënies së Assadit për të shkatërruar forcat e armatosura siriane. Ai ka forcuar kontrollin mbi Lartësitë e Golanit. Pavarësisht thirrjeve të Sharaas për bashkëjetesë paqësore, Izraeli mbetet thellësisht dyshues ndaj tij dhe aleatit të tij – Erdoğanit, i cili mbështet Hamasin dhe shihet si një kundërshtar i mundshëm në të ardhmen. Një Siri e dobët, por jo kaotike, i shkon për shtat interesave të Izraelit.

Ish-aleatët e Assadit, Rusia dhe Irani, ende përgjojnë në hije në mënyrë kërcënuese. Pas tërheqjes së saj poshtëruese në dhjetor, Teherani po flet për rikthimin e ndikimit përmes rrugëve të fshehta, duke përdorur “qeliza të rezistencës” dhe rrjete të fshehta. Nga ana tjetër, Rusia po bën pa turp pazare për të mbajtur dy bazat e saj ushtarake në Siri. Në bisedimet e muajit të kaluar me Sharaan – njeriun që Vladimir Putini u përpoq ta vriste për një dekadë – diplomatët rusë u informuan se Moska “duhet të përballet me gabimet e së kaluarës”. Sharaa kërkoi gjithashtu që Assadi të kthehej nga Moska për t’u përballur me drejtësinë. Por, ai u kujdes të mos i prishte plotësisht marrëdhëniet me Rusinë. Fuqitë perëndimore duhet ta vënë re këtë.

Sharaa përballet me probleme të panumërta, përfshirë përparimin në një “dialog kombëtar” dhe organizimin e zgjedhjeve të premtuara, si të sigurojë që të drejtat e pakicave realisht të mbrohen, dhe si të rindërtojë institucionet kombëtare në një vend të copëtuar – pjesën më të madhe të të cilit ai nuk e kontrollon fizikisht. Detyra është vërtet e frikshme. Pavarësisht të kaluarës së tij, Sharaa – dhe populli sirian – tani kanë nevojë për ndihmë tani, sepse kostoja e dështimit, e matur me kaos të ripërtërirë dhe me aleanca të gabuara, mund të jetë shumë e lartë.

Pikërisht për këtë arsye, një tjetër problem kyç – vonesa e pajustifikueshme në heqjen e sanksioneve perëndimore të epokës së Assadit – është kaq e dëmshme dhe vetëshkatërruese. BE-ja, Britania, madje edhe Amerika e Trumpit, duhet të ndalojnë zvarritjen, të ndalojnë llogaritjet egoiste dhe të hapin plotësisht kanalet e ndihmës, financimit, tregtisë, mbështetjes së sigurisë dhe rindërtimit, duke punuar me partnerët vendorë dhe shtetet arabe. Kjo është një mundësi e rrallë për të kthyer një lajm të mirë në një histori të suksesit të qëndrueshëm – dhe për të shërbyer interesat perëndimore duke ndërtuar një Siri miqësore, të begatë, tolerante dhe demokratike.

Është një mundësi që ndodh vetëm një herë në një brez. Nuk do të vijë përsëri. Dhe, mund të humbasë lehtësisht. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Ditë e re, provokim i ri për të mos reaguar - kësaj radhe në shtëpinë e BBVA futet Livia për të zgjuar banorët nga gjumi

Magazina
I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

I dërguari i Trumpit largohet nga Moska pas një takimi me Putinin - ai ka një mesazh të rëndësishëm për SHBA-në

Botë
Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Lajme

"Policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita", Behrami kritikon përcjellësit e Thaçit

Lajme
Xheneta reagon pasi takoi Gjestin në BBVA: Hiç prej shtëpisë mos me dalë, si ti 100 i gjejë

Xheneta reagon pasi takoi Gjestin në BBVA: Hiç prej shtëpisë mos me dalë, si ti 100 i gjejë

Magazina
Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Gjyqtari Marciniak thyen heshtjen, tregon se si erdhi deri te anulimi i penalltisë së Julian Alvarez

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori