Reshitaj prezanton punën 100 ditësh, flet për ndotjen e ajrit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka deklaruar se gjatë 100 ditëve të punës kanë arritur ta dërgojnë në Kuvend, ligjin për ndërtime për leje, por gjithashtu janë angazhuar edhe për mbrojtjen nga ndotja e ajrit.
Reshitaj gjatë një konference për media ku prezantoi punën 100 ditëshe, ka thënë se ajo që kanë bërë është puna në kornizën ligjore, gjegjësisht është punuar në legjislacionin primar dhe sekondar.
“Është miratuar nga Qeveria projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, i cili ka kaluar edhe në komisionin parlamentar dhe pritet të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës. E konsideroj se është sukses i madh i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për këto 100 ditë pune në krye me politikën e re në këtë ministri. Gjithashtu nga legjislacioni sekondar janë përfunduar 6 udhëzime administrative dhe tri urdhëresa. E konsideroj të rëndësishme që gjatë këtyre 100 ditëve kemi bërë edhe një plan të aktiviteteve për vjeshtë-dimër 2017-2018, me ç’ rast kemi vendosur në plan të aktiviteteve tona veprimet konkrete për të ndikuar uljen e nivelit të ndotjes së ajrit“, ka thënë Reshitaj.
Ajo tha se janë angazhuar edhe në rehabilitimin e shtretërve të lumenjve.
“Ndoshta disa prej tyre për një pjesë të stafit kanë mundur të jenë edhe shumë të këndshme, po flas për atë se kemi kërkuar të respektohen urdhëresat administrative për mos keqpërdorime të mundshme të veturave zyrtare pas orarit të punës, si dhe një kontrollin i lëvizjeve të shkuarjes së zyrtarëve tanë jashtë vendit. Janë edhe disa kontrata që jemi detyruar me i ndërprerë, që mendoj që na ka ndihmuar që t’i kthejmë buxhetit të ministrisë një shumë të hollave që do të na ndihmojnë të menaxhojmë me to dhe të bëjmë një punë më kualitative brenda ministrisë. Gjithashtu shumë shpejt, më 1 janar do të futet në funksion edhe laura në pjesën turistike Brezovica, ku kemi konsideruar që me ato të hyra do të ndikojmë në një menaxhim më të mirë të mbeturinave në atë pjesë“, ka thënë Reshitaj.
Sa i përket ndotjes së ajrit, ajo tha se kanë bërë planet afatshkurta, afatmesme dhe afatgjate, ku ekipet po bëjnë identifikimin e ndotjes në gjithë Kosovën.
Ajo mohoi të ketë thënë se duan ta zëvendësojnë thëngjillin me drunj, pasi edhe drunjtë duhet të ruhen, por shpjegoi se aktualisht kanë bërë këtë zëvendësim me drunjtë e konfiskuar.
“Vetëm në Prishtinë janë identifikuar 100 pika të ndotjes dhe ne kemi filluar me zëvendësimin e fëmijëve, sidomos në kopshtet e fëmijëve...gjithashtu jemi duke identifikuar në disa komuna tjera, siç është Gjakova, Peja, Prizreni, Obiliqi e shumë komuna tjera, me ç’rast ne po bëjmë zëvendësimin e thëngjillit, si lëndë djegëse që po e përdorin shkollat dhe kopshtet me drunjtë, nuk po blejmë, nuk jemi të interesuar të blejmë drunj por ne po përdorim drunjtë e konfiskuara të cilët veç i ka MMPH”, tha ajo.
Reshitaj njoftoi se janë duke përgatitur një udhëzim administrativ që mos të përdorët thëngjilli nëpër shkolla dhe shtëpi.
Ajo shtoi se kanë kontribuar edhe në zgjidhjen e problemit të zhvendosjes së banorëve në Shipitull dhe Hade, duke kontribuar në furnizimin më të rregullt me energji elektrike, gjatë sezonit dimëror.
Reshitaj tha se po angazhohet për 'policinë e gjelbër', në mënyrë që të kenë më shumë kompetenca për mbrojtjen e ambientit.





















































