LAJMI I FUNDIT:

‘ReMusica 2008’ i kushtohet Olivier Messiaen

‘ReMusica 2008’ i kushtohet Olivier Messiaen

Edicioni i shtatë i festivalit të muzikës “ReMusica” do të vazhdoj prezantimin e muzikës bashkëkohore.

Në edicionin i sivjetmë, të shtatin me radhë, do t’i kushtohet 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh francez, kolosit të muzikës së shekullit XX-të, Olivier Messiaen.

Sipas organizatorëve të festivalit për një javë rresht do të interpretohen disa vepra të këtij autori, por njëherësh edhe do të organizohet një tribunë e veçantë për krijimtarinë e tij.

Gjatë shtatë mbrëmjeve të festivalit do të prezantohen artistë nga Austria, Gjermania, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bullgaria dhe Spanja.


Veçohen në këtë rast ansambli Pierro Lunarie nga Vjena, perkusionisti nga Leonbergu Johannes Fischer, violinisti shqiptar i cili jeton në Spanjë, Florian Vlashi etj.

Derisa vjet kompozitorët e rëndësishëm evropianë, si Michael Finnissy, Giovanni Mancuso dhe Velimir Zaimov shkruan vepra të bazuar në polifoninë shqiptare, sivjet sipas drejtorit të festivalit kompozitorit Rafet Rudi, “ReMusica” ka marrë një iniciativë tjetër duke bërë porosinë për kompozimin e veprave origjinale moderne nga disa autorë kosovarë dhe duke shfrytëzuar jo vetëm tingëllimën e folklorit tonë, por edhe instrumentet autoktone popullore shqiptare.

Përveç ekzekutimit të krijimtarisë së kompozitorëve kosovarë të të gjitha gjeneratave, gjatë mbarëvajtjes së festivalit do të interpretohen edhe veprat më të reja të kompozitorëve të rinj. Por në të njëjtën kohë nuk do të mungojnë edhe veprat e doajenëve të muzikës shqiptare, si ato të kompozitorit Rexho Mulliqi.

Gjithashtu “REMUSICA” në këtë edicion shënon 65 vjetorin e lindjes së kompozitorit Zeqirja Ballata dhe 50 vjetorin e lindjes së kompozitorit Mendi Mengjiqi, me realizimin e një numri të konsiderueshëm të veprave të tyre dhe me aktivitete të tjera.

“REMUSICA” do të hapet të shtunën mbrëma me koncertin i cili do të mbahet në Sallën e Kuqe të kryeqytetit me fillim në ora 19:30. Ndërsa nga mbrëmja e dytë e tutje koncertet do të mbahen në kishën katolike “Shën Ndou” dhe Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare.