Drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës ka njoftuar se regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë për vitin shkollor 2025/26 bëhet nga data 15 maj deri më 15 qershor 2025, në të gjitha shkollat e qytetit.

Komuna e Mitrovicës bën të ditur se fëmija regjistrohet në klasën e parë pasi të ketë moshën minimale gjashtë vjeç.


Regjistrimi para kësaj moshe bëhet vetëm atëherë kur ka një vlerësim dhe rekomandim nga ekipi profesional, i caktuar nga shkolla, shkruan Telegrafi.

Thuhet se ekipi profesional përbëhet nga psikologu, pedagogu, mësuesi mbështetës i shkollës e të tjerë, ndërsa fëmijët me diagnozë para regjistrimit duhet të referohen tek ekipi komunal për vlerësim pedagogjik.

Ndërsa, sa i përket dokumentacionit, fëmija duhet të ketë certifikatën apo ekstraktin e lindjes, certifikatën e vaksinimit dhe dëshminë për vendbanim nga bashkësia lokale, e cila nuk është më e vjetër se gjashtë muaj.

Sipas njoftimit, nevojiten dokumentet e prindit apo kujdestarit ligjor e të tjerë.

“Të gjithë fëmijëve u urojmë suksese”, ka thënë drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu. /Telegrafi/