Reforma zgjedhore - t’ia qëllojmë, jo të provojmë
Kësaj radhe kemi mësuar mjaft çka dhe si duhet ndryshuar legjislacionin zgjedhor. Mos të lejojmë që me arnime dhe pa analiza të thella të bëjmë ndryshim-plotësime sa për të bërë (për sy e faqe) e mos të prekim aty ku dhe si duhet, në esencë. Përndryshe do të hyjmë në spiralen e brishtësisë së zgjedhjeve të lira, demokratike, transparente, të fshehta, etj, dhe si rezultat do të kemi institucione jokredibile dhe të kontestueshme.
Për fillim
Me këtë rast dua që të jap propozimet e mija alternative të cilat mund që sadopak të ndihmojnë në reformën e paralajmëruar zgjedhore. Mendimet dhe propozimet e mia janë të karakterit debatues dhe analizues, nuk kanë karakter filozofik ose teorik por praktik dhe pragmatik. Këto propozime nuk janë të skajshme, ashtu siç nuk duhet që idetë e askujt të merren si absolute. Mjaftojnë që të jenë një alternativë për analiza të mëtutjeshme të një debati të hapur, fleksibil, gjithëpërfshirës dhe profesional. Përndryshe pa një debat të gjerë, të urtë, profesional, shumëpërfshirës dhe duke marrë parasysh kontestin politik dhe shoqëror, do të kemi reforma apo hartime nga vetë ata politikan që nesër do të zgjidhen sipas këtyre reformave. Reformat duhet t’i bëjnë zgjedhësit, jo të zgjedhurit.
Vullneti politik
Ajo për çka mund të themi se pajtohemi të gjithë është gatishmëria për reforma zgjedhore. Me fjalë të tjera, ekziston një vullnet i mirëfilltë politik, por edhe më gjerë si nga subjektet politike, shoqëria civile, votuesit, opinioni publik etj, për të ndryshuar legjislacionin zgjedhor.
Tani shtrohet pyetja çka të ndryshohet, çka të plotësohet, çka të adaptohet, çka të korrigjohet?
Ajo që dua të them është që mos të ngutemi dhe të bëjmë ndryshime vetëm sa për të bërë, të improvizojmë reformë zgjedhore dhe prapë pastaj të themi, fajin e ka ligji, legjislacioni zgjedhor.
Një definim empirik thotë: Nuk ekziston një legjislacion i përsosur zgjedhor, ashtu siç nuk ekziston edhe një përzgjedhje e përsosur e legjislacionit zgjedhor. Ne nuk duhet asgjë të zbulojmë, ne vetëm duhet t’i identifikojmë pikat që duhet ndryshuar, plotësuar, adaptuar ose korrigjuar dhe t’i ndryshojmë ato.
Zgjedhjet që i lamë pas mbahen në mend me mungesën e institucionit më të lartë, që është besimi. Nuk i besuam KQZ-së, KKZ-ve, KVV-e, menaxherëve të QV-ve, vëzhguesve, QNR-së, dhe në fund nuk i besuam as vet votuesve. Në fund disa thanë se zgjedhjet ishin të pranuara, por jo legjitime, etj, etj. Pra ndodhi një lëmsh ku mbizotëroi pabesia e cila është thelbi i mbarëvajtjes së një procesi zgjedhor. Tani duhet të fillojmë nga kjo por jo të jemi shkurtëpamës dhe të reagojmë vetëm në atë që na dogji momentalisht dhe ta harrojmë të ardhmen dhe ndikimet e ndryshimeve në legjislacion. Para se t’i hyjmë reformës zgjedhore, duhet t’i përgjigjemi tri pyetjeve bazike:
Kush jemi?, Ku jemi? , Ku synojmë të shkojmë?
Meqenëqë ekziston një vullnet i përgjithshëm për reforma zgjedhore, atëherë fillimi duhet të jetë i mbarë, e ai fillon me grupin ose komisionin për reforma zgjedhore. Përveç përfaqësuesve të subjekteve politike, duhet të përfshihen edhe përfaqësues të KQZ-së aktuale (p.sh. kryetarja si kryesuese e pavarur), shoqëria civile, njohës të pavarur të zgjedhjeve, fondacione të ndryshme ndërkombëtare me ekspertizë relevante etj.
Thënë shkurt në reformën zgjedhore më tepër duhet dëgjuar fjala e zgjedhësve se sa e të zgjedhurve.
KQZ-ja, SKQZ-ja, KKZ-të, KVV-të
Le të fillojmë nga koka. E koka është KQZ-ja.
Mendoj se i ka ardhur fundi i viktimizimit të qëndrueshmërisë politike ashtu që KQZ-ja të dominohet nga përfaqësimi i subjekteve politike.
KQZ-ja duhet të jetë e përbërë nga anëtarë të rregullt (përhershëm) të cilët duhet të jenë njerëz me autoritet, apolitik dhe mundësisht profesionist (gjykatës, jurist, etj ). Këta duhet të jenë të propozuarit e subjekteve të mëdha politike (psh: 2+2+1), dhe dy nga minoritetet (1-nga serbët dhe 1-nga të tjerët). Kjo dmth së KQZ-ja do t’i kishte 7 anëtar të rregullt (përhershëm) të cilët do të kishin mandat të caktuar kohor dhe me të drejtë vote. KQZ-ja do të duhej të kishte edhe anëtar të tjerë, pjesëmarrës nga pothuaj të gjitha subjektet politike, shoqëria civile, etj, të cilët do të ishin si anëtarët e rregullt, por pa të drejtë vote. Kjo mund të duket e komplikuar, por do të funksiononte efektshëm.
KQZ-ja duhet të ketë administratën e saj të rregullt që tani quhet Sekretariati i KQZ-së. Kjo administratë, ose SKQZ-ja duhet ta ketë pavarësinë e plotë në punët administrative dhe teknike duke mos u ndikuar nga politika. SKQZ-ja do ti përgjigjej vetëm KQZ-së së rregullt (përhershme).
KKZ-të, KZZ-të, KVV-të do të duhej të zgjidheshin me një konkurs publik duke pasuar me trajnime efikase që shpesh ofrohen nga fondacionet e ndryshme ndërkombëtare. Komisionerët dhe personeli tjetër në ditën e zgjedhjeve janë të angazhuar me një aktivitet civil, kështu që përzgjedhja e tyre do të duhej të jetë plotësisht apolitike, nga shoqëria civile, etj.
Edhe një çështje e cila shpesh po anashkalohet, e ajo është kostoja e zgjedhjeve. Duke patur parasysh kapacitetet tona buxhetore, shpesh po jemi viktimë e procedurave të prokurimit dhe zgjedhjet po na kushtojnë shumë shtrenjtë. Ishte dashur që në rastin e zgjedhjeve të gjinden forma ligjore që t’i adaptohemi kërkesave të harxhimeve me rastin e zgjedhjeve. Kjo dukshëm kishte me i ulë kostot e procesit zgjedhor.
Lista e votuesve
Thuhet se Lista e Votuesve është faktori kryesor në mbarëvajtjen dhe legjitimitetin e zgjedhjeve. Kjo edhe është vërtetuar nga zgjedhjet paraprake. Mendoj se tani jemi më afër kushteve që ta kemi një Listë të Votuesve më të besueshme, dhe duhet bërë çmos që kjo të ndodhë. Një Listë e Votuesve më relevante është amortizuesi më i mirë i manipulimeve.
Sistemi zgjedhor
Nuk duhet ngatërruar sistemin zgjedhor me legjislacionin zgjedhor. Sistemi zgjedhor është vetëm një komponentë shumë e rëndësishme që është e përfshirë në legjislacionin zgjedhor. Kryesisht njihen dy sisteme zgjedhore: proporcional dhe mazhoritar. Sistemi proporcional zgjedhë deputetët duke i ndarë votat në mënyrë proporcionale, kurse ai mazhoritar me shumicë absolute ose relative. Tek ne deri më tani kemi pasur sistem proporcional me lista të mbyllura, pastaj të hapura me 10 kandidatë dhe së fundi me 5 kandidatë të mundshëm.
Mendoj se sistemi zgjedhor duhet t’i referohet historisë zgjedhore dhe mësimeve të nxjerra si dhe t’i adaptohet realitetit të krijuar.
Teoria na mëson se kriteret për përzgjedhjen e sistemit zgjedhor gjatë reformës zgjedhore janë: legjitimiteti, përfaqësueshmëria, mundësi zgjedhjeje për votuesit, sistem efikas të partive politike, qeveri e qëndrueshme dhe efikase, parlament efikas, pjesëmarrje aktive dhe masive në zgjedhje dhe përgjegjshmëri-llogaridhënie.
Kur këtyre kritereve ja shtojmë edhe tri pyetjet bazike (kush jemi, ku jemi dhe ku synojmë të shkojmë), mendoj se sistemit zgjedhor mund të jetë i kombinuar: mazhoritaro-proporcional, psh 60 vende nga mazhoritari dhe 60 nga proporcionali (vendet e rezervuara për minoritar, 10-serbë, 10-të tjerë kishin me u zgjedhë nga proporcionali). Kjo mund të duket e paarritshme, por me një qasje dhe vendosmëri pragmatike mundë të jetë një alternativë e qëndrueshme.
Zonat zgjedhore
Padyshim se Kosova duhet të ndahet në zona zgjedhore, por kjo ndarje duhet të jetë konform realitetit, e jo të flasim teori të parealizueshme. Thuhet shpesh se ne veç kemi 7 zona që janë: Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Ferizaji, Gjilani, Peja dhe Gjakova. Ok, por a janë këto regjione adekuate dhe të përshtatshme për zona zgjedhore? Ne duhet mirë ti analizojmë këto zona. Ndoshta ishte dashur t’i ristrukturojmë dhe të bëhet proporcionaliteti kuantitativ i votuesve në këto 7 zona. Mundet edhe të shumëfishohet numri i zonave zgjedhore. Psh nëse do të aplikohej sistemi mazhoritaro-proporcional (60-mazhoritar, 60-proporcional), atëherë ishte dashur t’i kemi 60 zona zgjedhore që zgjedhin nga një deputet nga mazhoritari, dhe pastaj 60 nga proporcionali. Në këtë mënyrë do të realizohej përfaqësimi gjeografik në parlament, aq i kërkuar dhe i domosdoshëm. Nuk duhet përjashtuar alternativa që edhe për pak kohë të kemi vetëm një zonë zgjedhore, duke patur parasysh, se ndarja në zona zgjedhore kërkon një punë paraprake që nuk është e lehtë. Mos të harrojmë decentralizimin, regjistrimin, veriun e Kosovës, etj. etj. Pra me këtë nuk dua t’i komplikoj gjërat por duhet që ti kemi parasysh të gjithë faktorët real dhe mos t’i harrojmë përgjigjet në pyetjet bazike: Kush jemi?, Ku jemi? , Ku synojmë të shkojmë?
Pragu zgjedhor
Pragu zgjedhor duhet të ekzistoj, por të jetë selektiv. Psh 5 % duhet të vlejë vetëm për koalicionet parazgjedhore, 3 % për parti politike dhe iniciativa qytetare, kurse 1 % për kandidatë të pavarur. Kjo do t’i inkurajonte vlerat individuale dhe do t’i profilizonte partitë e vogla. Me këtë rast dua të theksoj se duhet “ashpërsuar” kriteret për regjistrimin e partive politike, ashtuqë jo çdokush me pak nënshkrime të regjistroj parti dhe kështu vetëm të komplikohet dhe të rritet kostoja e organizimit të zgjedhjeve. Pragu zgjedhor është përgjigja më e mirë si kundërvlerë e “ashpërsimit” të regjistrimit të partive të reja të vogla.
Votimi me kusht
Votimi me kusht edhepse në dukje i mirëseardhur dhe ofron një alternativë të fundit, është treguar si potencial i manipulimeve. Votimi me kusht më tepër ju është atribuuar minoriteteve (serbëve), por duhet të hiqet fare.
Votimi për bashkatdhetarë - jashtë Kosovës
Mendoj dhe vlerësoj se është obligim moral, njerëzor dhe shtetëror që përfundimisht mërgimtarëve tanë t’ua lehtësojmë të drejtën e tyre supreme për të votuar. Votimi i deritashëm me postë është treguar jo i qëlluar. Votimit me postë duhet t’i shtohen edhe alternativa të tjera. Të organizohen vendvotime në ambasada, konsullata dhe përfaqësi të tjera të Kosovës nëpër botë. Poashtu ishte dashur që të organizohen transporte “charter” enkas për ditën e zgjedhjeve. Kostot e transportit ishte dashur t’i subvencionoj qeveria dhe të parashihen në buxhetin e zgjedhjeve. Kjo kishte me e rrit legjitimitetin e krejt procesit zgjedhor dhe kishte me qenë një demonstrim shtetëror ndaj atyre që ju kemi të gjithë borxh-bashkatdhetarëve tanë në botën e jashtme.
Vendet e rezervuara-minoritetet
Duke e ditur përcaktimin e shtetit tonë dhe detyrimeve ndërkombëtare dhe atyre kushtetuese si dhe atyre që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, vendet e rezervuara duhet t’i analizojmë hollësisht dhe nuk duhet përjashtuar edhe për një kohë (ndoshta edhe për një palë zgjedhje). Dihet se vendet e rezervuara kanë për qëllim integrimin e minoriteteve në institucionet qeveritare. Por minimumi që duhet bërë është që pragu zgjedhor të vlejë edhe për minoritete. Përndryshe në të ardhmen duhet menduar që vendet e rezervuara të mbeten një histori.
Zgjedhja e Presidentit
Kohëve të fundit shumë është folur për zgjedhjen e presidentit me vota të drejtpërdrejta. Mos të harrojmë se ne jemi Republikë parlamentare dhe me një President të zgjedhur drejtpërdrejti me kompetencat që i ka do të ishte nën Kryeministrin dhe kjo është më së paku jodemokratike. Do të duhej pastaj që Kushtetuta të ndryshohej dhe Kosova të ishte Republikë Parlamentaro-Presidenciale. Për të mos e komplikuar më tepër, them se po të bëheshin ndryshimet në pikat tjera, çështja e Presidentit dhe zgjedhja e tij në Parlament do të relativizohej dhe nuk do t’i kishim arsyet (pazaret politike) për të cilat me aq vrull po kërkojmë zgjedhjen e Presidentit me vota të drejtpërdrejta. Mos të harrojmë edhe kostot e zgjedhjes së Presidentit me vota të drejtpërdrejta. Nuk them se një ditë të mos ndodhë edhe kjo, por tani për tani nuk mendoj se është e domosdoshme. Mos t’i harrojmë kostot që i shkakton një zgjedhje e tillë. Le t’i shtrijmë këmbët sipas jorganit, thotë populli.
Zgjedhjet lokale
Mendoj se ndryshimet e përmendura reflektohen edhe në zgjedhjet lokale. Ndryshimet e përgjithshme në reformën zgjedhore kishin prodhuar nevojat e adaptimit të legjislacionit edhe për zgjedhje lokale. Ajo që dua të them në veçanti është se kryetarët e komunave duhet të kenë akoma më shumë kompetenca, sepse reflektojnë autoritetin e marrë nga elektorati duke u zgjedhur drejtpërdrejt.
Mjetet shtesë
Flitet shumë për njëfarë votimi elektronik. Votimi i plotë elektronikë përveç që kushton shumë shtrenjtë, domosdoshmërisht nuk e arsyeton qëllimin. Ky lloj votimi i ka disa “kerefekte” që jo rrallë mund të shkaktojnë ngecje për shkak të edukimit dhe informimit jo të mjaftueshëm të votuesve. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe moshën e votuesve, nuk mendoj se ky lloj votimi për këtë moment është i qëlluar. Mendoj se më mirë do të ishte të themi, më shumë elektronikë në votim. Kjo dmth mund të angazhohen mjete shtesë elektronike si kamera etj, ashtuqë të rritet transparenca dhe besueshmëria.
Për fund
Të gjitha ligjet ekzistuese, rregullat dhe rregulloret që kanë të bëjnë me zgjedhjet si: Ligji për zgjedhje të përgjithshme, Ligji për zgjedhje lokale, Ligji për partitë politike, Ligji për sistemin zgjedhor, Ligji për financimin e partive politike, Ligjet, rregulloret dhe rregullat e ndryshme të KQZ-së, dhe SKQZ-së, Ligji për qendrat e votimit, Ligji për listat e votuesve, etj, ishte dashur që të përfshihen në një Kod Zgjedhor unik të cilit do t’i referoheshim në proceset e ardhshme zgjedhore.
Kodi i ardhshëm zgjedhor duhet të reflektoj një reformë të qëlluar zgjedhore e jo një reformë që ta provojmë.
(Autori është ish kryeshef i SKQZ-së)


















































