Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka reaguar sot pasi iu dogj vetura në orët e hershme të mëngjesit.

Grubi në një postim në Facebook u kërkon falje fqinjëve e familjes për shqetësimin që e përjetuan nga djegia e veturës për shkak të siç thotë, profesionit të tij.


Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e tij në Facebook:  I kërkoj ndjesë të gjithë fqinjëve të mi në lagjen tonë për shqetësimin e madh që e përjetuan mbrëmë para ndërtesës ku jetoj, për arsye të profesionit tim. I kërkoj ndjesë edhe shokut tim dhe familjes së tij për dëmin e shkaktuar vetëm për arsye të profesionit tim. Në politikë jam për të shërbyer dhe për të lënë gjurmë me punë e me vepra, e jo që të më terrorizohet familja, fqinjët dhe shoqëria. Kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet e njëpasnjëshme i konsideroj si qyqare dhe tinëzare, por unë nuk e kam ndërmend të ndalem dhe të zmbrapsem nga puna dhe realizimi i pritshmërive të qytetarëve. Ju kërkoj falje që shqetësimet e mija dhe të familjes sime u shndërruan në shqetësime edhe të fqinjëve dhe shoqërisë. Shpreh mirënjohje për të gjithë fqinjët e mi si dhe për forcat e sigurisë dhe përpjekjet e tyre për ta zbardhur sulmin e mbrëmshëm. Ju falënderoj dhe të gjithë juve për përkrahjen e madhe. /Telegrafi/