Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRrE) njoftoi të premten se ka propozuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
Për këtë ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo në një postim në Facebook, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se gjatë qeverisjes së tij po bëhet ngritja më e madhe e çmimit të energjisë në historinë e Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Tani ZRRE propozon rritje tjetër prej 15% nga 1 Prilli 2025. Çfarë do të thotë kjo për faturat tuaja? Fatura e prillit 2025 për të njëjtën sasi të energjisë do të jetë 15% më e lartë se ajo e prillit të vitit 2024 dhe kjo rritje nuk është e vetmja”, ka pohuar Bajrami.
Ajo ka sqaruar se me vendim të ZRRE-së, KESCO ka nisur procedurat për të detyruar të gjitha ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit të dalin në treg të hapur.
“Pse është kjo problem? Sepse kjo do të thotë rritje e shumfisht e çmimit të energjisë për këto biznese, duke marrë parasysh faktin se pas daljes në treg të hapur, këto biznese do të furnizohen me energji kryesisht nga importi, me tarifa shumë më të larta, pasi që në bazë të kontratës së privatizimit të distribucionit, KEK-u e ka obligim të furnizojë fillimisht KEDS/KESCO, duke i lënë bizneset në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve të importit”, shtoi ajo.
Tutje, ajo ka pohuar se “Pas gjithë kësaj vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd, sepse: pasi bizneset e mëdha largohen nga KESCO, kërkesa për energji ulet, që logjikisht duhet të sjellë ulje të tarifave, por ZRRE -ja e abstrahon këtë fakt dhe vendos rritje tjetër të tarifave për 15%”.
“Sot pyetja është: kujt po i shërbejnë këto politika? Është kristal e qartë se përfituesit këtu janë vetëm KEDS/KESCO dhe tregtarët e energjisë në krye me Martin Berishajn”.
“Po qytetarët? Ata do të paguajnë 15% më shumë për fatura nga 1 prilli. Ata do të mbulojnë çmimin më të lartë të energjisë për bizneset përmes rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Pra, Qeveria/ZRRE rrit shpenzimet, bizneset rrisin çmimet dhe qytetarët paguajnë më shumë dhe jo vetëm për energji”, ka theksuar ajo./Telegrafi/