Site icon Telegrafi

Rast i rrallë: Shqiptarja diplomon në moshën 61-vjeçare

Magbule Novosella është një rast i rrallë dhe shumë inspirues për të gjithë ata që janë në mëdyshje të marrin vendimin për t’u përcaktuar dhe punuar në drejtim të realizimit të ëndrrave të tyre.

Znj. Magbule, nuk pati rast të realizoj ëndrrën e saj të studimit të Psikologjisë në moshë më të hershme për arsye të ndryshme. Disa prej arsyeve që e penguan drejt realizmit të ëndrrës ishin nevoja për të punuar pas përfundimit të shkollimit të mesëm, të përkushtohej në rritjen, zhvillimin, dhe edukimin e fëmijëve të saj si dhe fakti që në atë kohë në Kosovë nuk ekzistonte Psikologjia si degë studimi.

Për të studiuar Psikologjinë do t’i duhej të studionte në Beograd, Sarajevë, apo në ndonjë vend edhe më larg regjionit.

Mirëpo, tani që kjo degë e studimeve ofrohet në Kolegjin AAB në Prishtinë dhe Magbulja nuk deshi të humbiste rastin që të realizonte ëndrrën e saj të kamotshme. Kështu, në moshën 57 vjeçare, ajo filloi ndjekjen e ligjëratave të para si studente e rregullt në Kolegjin AAB në Prishtinë.

“Ishte vendim paksa i vështirë që në këtë moshë të bashkëngjitëm në një grup shumë të rinj të studentëve, mirëpo, afërsia e tyre më ka ndihmuar shumë në përkrahje të vendimeve të mija. Gjithashtu, i jam shumë mirënjohëse familjarëve dhe profesorëve për përkrahjen e pandalshme”, tha znj. Magbule.

Duke qenë adhuruese e librit dhe shkrimit, nuk ishte dhe aq e vështirë për të që t’i kthehej studimit të rregullt.

“Gjatë jetës jam marrë me probleme psikologjike dhe kam dashur t’ju ndihmoj të afërmeve në zgjidhjen e problemeve. Kam qenë gjithmonë e gatshme për këshillime. Dhe, më dukej se kisha një aftësi më të veçantë në këtë aspekt”, sqaroi znj. Magbule në intervistën e saj të dhënë për emisionin Jeta në KTV.

“Jam shumë e lumtur për hapin që kam marrë. Nuk i kam përfunduar studimet për të siguruar ndonjë vend të punës. Arsyeja e vetme është kënaqësia që kam marrë nga realizimi i ëndrrës sime. Përveç kësaj, kam krijuar shoqëri të re”, shton ajo.

Mesazhi i znj. Magbule është që pavarësisht nga mosha apo pengesa të tjera në jetë, asnjëherë të mos dorëzohemi apo frikësohemi që të realizojmë ëndrrat tona.

“Me përkushtim arrihet çdo gjë!”, theksoi ajo.

Exit mobile version