LAJMI I FUNDIT:

Rashiti: Pa njohje nuk ka normalizim të mirëfilltë mes Kosovës dhe Serbisë

Rashiti: Pa njohje nuk ka normalizim të mirëfilltë mes Kosovës dhe Serbisë

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, thotë se Qeveria e Kosovës e ka parë si të pranueshëm daft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nuk ka asnjë arsye që të vonojë zbatimin e tij.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se nuk i di detajet e draft-statutit të Asociacionit, por konsideron se koncepti i tij bazohet në rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës dhe në nevojën për t’i adresuar nevojat bazike për qytetarët serbë.

Sipas tij, pajtimi për draft-statutin është një proces politik që kërkon përmbyllje me garanci, që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk është detyrimisht e nevojshme që ai të dërgohet sërish për vlerësim në këtë gjykatë.


Rashiti thekson se zbutja e retorikës së BE-së ndaj Serbisë, pas sulmit të grupit të armatosur ndaj policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit, ndodh për shkak se “Serbia kontrollon Raportin e progresit dhe gjuhën e dokumenteve të Bashkimit Evropian, të cilat i referohen Serbisë”.

Një draft-statut u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga pesëshja e madhe. A mund të jetë ky dokument rrugëdalje nga ngërçi për sa i përket formimit të Asociacionit?

Naim Rashiti: Procesi i dialogut, takimet e fundit që kanë ndodhur gjatë muajit tetor, njëfarë forme kanë hapur paketën e implementimit të marrëveshjeve të arritura – nëse mund t’i quajmë marrëveshje të arritura – meqë tani kemi një draft-statut për Asociacionin, që në parim është pranuar nga Kosova duke shprehur vullnetin edhe për nënshkrimin e saj. Por, meqë teknikalitetet dështuan për ta përmbyllur tërë paketën e implementimit, fokusi ndërkombëtar në implementimin e këtyre marrëveshjeve është që kjo të ndodhë në mënyrë paralele, sepse është shumë vështirë tanimë të flitet për sekuencim, për faktin që nuk ka akordim në detaje implementim.

ërpjekja ndërkombëtare – sidomos e vendeve tjera dhe jo e BE-së – tani do të jetë që palët të zbatojnë në mënyrë paralele njëanshëm marrëveshjen. Dhe, në letrën e treshes së BE-së (Gjermania, Franca, Italia) kur thuhet që Kosova të zbatojë Asociacionin dhe Serbia të pranojë Kosovën de facto, nënkuptohet pikërisht kjo, që Kosova të bëjë zbatimin e elementeve të marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin dhe elemente të tjera, ndërsa Serbia të bëjë pjesën e vet, duke njohur dokumentacionin, duke mos lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare e kështu me radhë. Dhe, ky besoj do të jetë çelësi i suksesit, apo jo, në muajt në vijim, i zbatimit ose moszbatimit.

Kjo ndoshta është mënyra e vetme të shohim a do të ketë zbatim dhe do të na tregojë çfarë progresi mund të bëhet.

Asociacioni, sipas rendit kushtetues dhe nevojave të serbëve

Çfarë prisni se mund të përmbajë një draft-statut i tillë?

Naim Rashiti: Nuk e di përmbajtjen, nuk i di detajet. Por, pasi që tani është i pranueshëm si i tillë për Qeverinë e Kosovës, besoj që nuk ka asnjë arsye që Qeveria e Kosovës të vonohet për ta zbatuar atë statut. Nëse vonohet në këtë proces dhe nëse lejojmë që të kthehemi në negociata prapë atje ku ishim në pranverë, besoj që do të humbim kohë dhe do të humbim shumë. Ajo çfarë ka ndodhur pas Banjskës, është që një pjesë e faktorit ndërkombëtar e ka kuptuar që një Asociacion ose një proces intensiv rreth Asociacionit, një betejë e madhe rreth Asociacionit, apo diçka siç ishte prezantuar nga ekipi menaxhues, do të mund të jetë vetëm një instrument për kërcënime të sigurisë, ose instrument shtesë i problemit të sigurisë për Kosovën nga ana e Serbisë.

Tani është ulur, në njëfarë forme, tendenca e saj, është minuar. Është artikuluar i gjithë koncepti i tij (Asociacionit) në dy prioritete, në rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës dhe në nevojën për t’i adresuar nevojat bazike për qytetarët serbë. Është vënë më pak theksi te Beogradi. Është artikuluar komplet në rendin ligjor e kushtetues të Kosovës dhe parashihet të jetë një instrument që rregullon marrëdhëniet e serbëve të Kosovës me Prishtinën pa u brengosur fort për pikëpamjet, qëndrimet e Beogradit.

Ndërmjetësuesi evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin është model që “nuk i shkel vijat e kuqe të paraqitura nga palët”. Ndërmjet këtyre vijave të kuqe të palëve, ku e shihni ju kompromisin?

Naim Rashiti: Në çdo rrethanë, që nga fillimi i dialogut, kompromisi i këtyre proceseve ka qenë i lidhur me dy parametra – parametrat për t’i akomoduar shërbimet esenciale për serbët e Kosovës, arsimin, shëndetësinë, çështjet e identitetit nacional, marrëdhëniet me shërbimet prej Serbisë, pensionet, e shërbime të tilla. Nuk shoh në asnjë rrethanë diçka më shumë. Tema është rritur, kur faktori ndërkombëtar ka lejuar Serbinë të rrisë ambicien e saj, dhe kompromisi – çfarëdo që do të mund të ndodhë – ka qenë i lidhur me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, me njohjen reciproke. Dhe, po të kishim njohjen reciproke nuk do të flisnim shumë për elemente të vogla të vijave të kuqe.

Por, meqë nuk ka njohje, nuk ka normalizim të mirëfilltë. Atëherë, flasim për elemente të rendit kushtetues dhe realisht i kthehemi procesit 2013-2015 e tutje. Siç e tha edhe zonja (ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine) Ashton në vizitën e saj, kurrë nuk është menduar që Asociacioni të jetë një mollë sherri, një problem kaq i madh. Është menduar të akomodojë nevojat bazike të qytetarëve serbë brenda Kosovës dhe besoj që aty do të kthehemi, por do të kthehemi dhe do të ketë sukses nëse i rrekemi punës për zbatim.

Draft-statuti nuk ka nevojë për Gjykatën Kushtetuese

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se draft-statuti që i është dorëzuar kryeministrit Kurti, nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës, nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk paraqet nivel tjetër të qeverisjes. Si e komentoni këtë, a mund të pritet që të jetë brenda krejt kësaj kornize që i përmend Hovenier dhe në fund të konsultohet edhe nga Kushtetuesja?

Naim Rashiti: Besoj që ambasadori e ka draftin. Unë nuk e kam dhe nuk mund ta komentoj, ajo çka duhet të flasim është që Asociacioni është konform një procesi të dialogut për normalizimin dhe është bërë një instrument i marrëdhënies së Kosovës me Perëndimin, sikur që ishte Ahtisari. Kjo është më shumë për të shtyrë, për të rritur mbështetjen ndërkombëtare, në një farë forme për t’i bashkërenduar politikat me faktorin kyç ndërkombëtar, siç janë: SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe vendet e tjera – ndoshta më pak me instrumentin e BE-së, shërbimin e politikës së jashtme.

Kjo do ta vë Kosovën në një situatë shumë më të mirë në raport me aktorët, sepse ata do të rreshtohen për ta mbështetur Kosovën qoftë në aspektin e sigurisë, qoftë në aspektin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, kjo është më rëndësishmja.

E dyta, detajet e vogla në substancën e saj edhe mund të mos jenë shumë të rëndësishme, sepse po flasim për një instrument për disa fusha të caktuara. Dhe, asnjëherë nuk është menduar të ketë kompetenca ekzekutive, si i tillë që është në kuadër të këtij dialogut. Po të kishim folur për njohje reciproke, besoj që edhe elita politike kosovare do të kishte qenë më e hapur për të folur detaje të tjera, për procese të tjera. Por, po flasim në kuadër të këtij procesi të dialogut dhe nuk është menduar asnjëherë të ketë kompetenca ekzekutive. Do të jetë një trup koordinues, bashkërendues.

Natyrisht, serbët do ta përdorin për trumbetim politik, për ambicie më shumë, për tubime politike. Por edhe kjo do të shteret me kohë – siç u shter edhe Lista Serbe tanimë, pas zhvillimeve të fundit – kështu që do të jetë një instrument që do ta përmbyllë çështjen e veriut, do ta minimizojë efektin e veriut, t’i integrojë serbët e Kosovës, t’i adresojë nevojat e tyre esenciale dhe ta mbyllë çështjen edhe të perimetrit të sigurisë. Do të jetë një proces që do t’i hap rrugë Kosovës shumë, jo domosdo përmes takimeve të Brukselit, por përmes zbatimit siç edhe gjithnjë e më shumë po kërkohet nga faktori ndërkombëtar.

Tani, një debat i shpejtë, i ngutshëm, ishte se draft-statuti i ri do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Nuk duhet të ngatërrohemi në Gjykatë Kushtetuese, sepse do ta humbim vlerën, peshën politike të proceseve politike me faktorin ndërkombëtar. Do të shpërfaqim një lloj pasigurie, një lloj joserioziteti, nëse çdo dokument e kthejmë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e ka thënë njëherë qëndrimin e saj dhe nuk duhet të kthehemi atje, e ndoshta të marrim vendime edhe më kontradiktore në raport me të parin (vendim) apo me tjetrin.

Ky është një proces politik që kërkon përmbyllje me garanci, që është në përputhje me (vendimin e) Gjykatën Kushtetuese. Ndoshta mund të konsultohet, mirëpo është një proces që nuk ka nevojë të kthehet në Gjykatë Kushtetuese, sepse do t’i vonojë proceset.

Unë besoj fuqishëm që nëse nuk kemi zbatim gjatë vitit të ardhshëm – së bashku, pastaj, me zgjedhjet dhe gjithë procesin e integrimit të serbëve të veriut brenda sistemit institucional të Kosovës – do të rriten telashet.

Për ndërkombëtarët, Kurti e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Kuvendin e Kosovës që nuk e ka pranuar zyrtarisht draftin, por po ashtu ka shtuar se është i gatshëm ta nënshkruajë atë. Si e komentoni këtë?

Naim Rashiti: Jo, nuk i komentoj deklarimet politike, sidomos ato që bëhen në Kuvend, sepse janë kryesisht betejë politike që bëhen kundër njëri-tjetrit. Por, kryeministri, në takimet me treshen (liderët shtetërorë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë) ka ofruar nënshkrimin e tij (draftit) dhe pikëpamja e ndërkombëtarëve është që kryeministri e ka pranuar si tërësi, si të kompletuar, gjithë procesin e dialogut dhe marrëveshjet e arritura këtë vit, përfshirë edhe draft-statutin.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht, mbi cilën palë është orientuar më shumë presioni ndërkombëtar për t’u tejkaluar ngecja në procesin e dialogut?

Naim Rashiti: Përshtypja ime është që dialogu po kthehet në një platformë të zbatimit paralel dhe presioni është i ndarë, veçmas është mbi Kosovën dhe veçmas është mbi Serbinë. Po bëhet përpjekje e madhe që t’i ndihmohet Kosovës që të fillojë procesin e zbatimit, siç e tha edhe zonja (presidentja e Komisionit Evropian, Ursula) von der Leyen “filloni procedurat për zbatim”.

Kosova, me pak mund, mund ta kryejë këtë proces shumë shpejt. Ka një aktor ndërkombëtar – BE-ja, zoti (shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep) Borrell dhe (emisari i BE-së për dialogun, Mirosllav) Lajçak, të cilët po provojnë t’i kthehen formatit të dikurshëm, për të cilin unë mendoj se është i dëmshëm, sepse nuk do të prodhojë asgjë. Do të vonojë më shumë, në veçanti, me vetë faktin që në Serbi ka zgjedhje.

Asnjëherë dialogu substancial në Bruksel nuk ka ndodhur në periudhën e zgjedhjeve apo pas shpalljes së zgjedhjeve, në njërin apo tjetrin vend.

Do të ketë takim (kryenegociatori i Kosovës, Besnik) Bislimi dhe (kryenegociatori i Serbisë, Petar) Petkoviq, për të cilin unë mendoj se është tërësisht i panevojshëm. Nuk e di pse zoti Lajçak e thërret këtë takim. Serbia është në proces të zgjedhjeve dhe nuk do të angazhohet. Nuk është angazhuar as para shpalljes së zgjedhjeve dhe as tash. Përshtypja ime është që presidenti i Serbisë (Aleksandar Vuçiq), do ta vonojë formimin e qeverisë për një afat shumë të gjatë, ndërkaq Kosova s’ka kohë të presë. Duhet t’i rreket punës vetë, zbatimit të njëanshëm me ‘pesëshen’, me QUINT-in, duke mos llogaritur shumë në takimet në Bruksel.

Treshja evropiane e ka definuar njohjen de facto

A i mjafton Kosovës njohja de facto nga Serbia?

Naim Rashiti: Treshja (Gjermania, Franca, Italia) e ka ‘përkthyer’ marrëveshjen e fundit me një definicion të njohjes de facto. Pranimi i dokumentacioneve, respektimi i juridiksionit, i entitetit kosovar, mospengimi në anëtarësimet ndërkombëtare – kjo është njohja de facto. Nëse kemi vërtet sjellje si duhet të Serbisë, në raport me marrëveshjen e arritur në Bruksel, do të ishte një hap i madh përpara.

Por, nuk besoj që BE-ja do të arrijë ta formalizojë si kërkesë eksplicite këtë proces dhe të dijë ta masë dhe kushtëzojë Serbinë. Po ashtu, jam i bindur që Serbia nuk do të bëjë hapa shumë, në raport me pranimin dhe zbatimin e tërë pjesës së marrëveshjes. Por, me avancimin e zbatimit nga ana e Kosovës, pastaj, i tërë presioni ndërkombëtar do të jetë mbi Serbinë, që së paku pjesë-pjesë të nxirret diçka nga zbatimi dhe të ndryshojë sjellja e Serbisë në raport me Kosovën.

Dhe e fundit, që është më e rëndësishme, është një deklaratë e tri vendeve më të fuqishme të BE-së, tre liderëve më të fuqishëm të BE-së, ku thuhet në mënyrë eksplicite që Serbia duhet ta bëjë këtë (njohjen de facto të Kosovës) dhe besoj që kjo, në njëfarë forme, do ta sforcojë më shumë gjuhën e BE-së në raport me Serbinë, nga ai normalizimi i kotë, i zbrazët, në një përmendje të njohjes de facto, e cila domosdo do të marrë peshë gjithnjë e më shumë, sidomos në situatën kur Kosova të avancojë me detyrat dhe obligimet e saj.

Serbia kontrollon gjuhën e dokumenteve të BE-së

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, e ka cilësuar sulmin e grupit të armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë si “terrorist”, ndërkohë në raportin e Komisionit Evropian është përshkruar si sulm i dhunshëm. Në këtë kontekst, a e shihni si zbutje të retorikës së BE-së ndaj Serbisë dhe pse?

Naim Rashiti: Ka vite që Serbia ka shumë miq brenda BE-së. Ka shumë vende anëtare, të cilat – siç na është komunikuar nga një zyrtar i lartë i BE-së vetëm neve – Serbia kontrollon gjuhën e dokumenteve të BE-së përmes pesë apo gjashtë vendeve anëtare të BE-së. Pra, deri në atë nivel, duke filluar nga Hungaria, por edhe vendet tjera.

Vende që nuk e kanë njohur Kosovën?

Naim Rashiti: Edhe që e kanë njohur. Do të thotë, ka vite që Serbia kontrollon Raportin e progresit dhe gjuhën e dokumenteve të Bashkimit Evropian, të cilat i referohen Serbisë. Dhe, ky është dështimi i Kosovës, i politikës së jashtme të Kosovës, me vite – jo vetëm kjo qeveri, por edhe më herët – e cila nuk ka arritur të krijojë aleanca të mirëfillta me shtetet anëtare, e të cilat do t’i kishin lobuese në momentet kritike të formulimit të qëndrimeve brenda BE-së. Dhe, ky është mësimi më i qartë për politikën e jashtme kosovare.

Pse BE-ja është më e kujdesshme në ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, ndërkohë që masat e tilla ndaj Kosovës janë vendosur relativisht shpejt?

Naim Rashiti: Një prej atyre arsyeve është kjo që e thashë. Një tjetër është… kam dëgjuar një zyrtar të NATO-s që thoshte se ‘po, incidenti ishte terrorist dhe përfshinte shumë armë, por këto janë pak në krahasim me ato që Serbia i dërgon në Ukrainë. Dhe, roli i Serbisë në raport me Ukrainën dhe Rusinë është një politikë kyçe për vendet e BE-së. Ka shumë faktorë. Nën tre, vendet mosnjohëse nuk mbështesin qëndrime të konsoliduara për Kosovën dhe mbështesin qëndrime të konsoliduara për Serbinë, në favor të Serbisë. Nën katër, Serbia mbetet një faktor kërcënues për sigurinë dhe në njëfarë forme, ledhatohet nga shumë vende të BE-së, përfshirë edhe nga institucionet e BE-së.

Ka edhe shumë faktorë të tjerë, të cilët bëjnë që vendet e BE-së, institucionet e BE-së, të jenë shumë të ndjeshme në komunikim në raport me Serbinë. Kosova nuk po shfaq asnjë telashe për ta. BE-ja nuk ka mundësi asnjëherë të vendosë në agjendë të saj kërkesat e Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit në BE. Një ish-zyrtare e BE-së, në një moment të caktuar, më tha ‘vendosja e sanksioneve (ndaj Kosovës) ndoshta ishte mënyra më e mirë për t’i ikur vendosjes së trajtimit të aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit’.

Por, duhet t’i kthehemi politikës reale. Kosova, si shtet, duhet të këndellet. Ka nevojë për përmirësim drastik të marrëdhënies së saj me Perëndimin, me vendet anëtare. Ka nevojë për një investim drastik në politikën e jashtme. Jo në atë vendore, por në politikën e jashtme ndërkombëtare, sot apo nesër, sa më herët më mirë. Ka nevojë që të konsolidojë shtetësinë e saj brenda dhe jashtë, në parametrat ndërkombëtarë çfarë janë vendosur dhe të mos humbë kohë, sepse Kosova nuk ka tjetër instrument në duart e saj për t’i bindur aleancat e saj./rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit, për plagosjen e dy personave në Prishtinë

Kronika e Zezë
​S’kalojnë amendamentet e PDK-së: Përplasje e ashpër Shoshi-Bogujevci, i bashkëngjitet edhe Musliu

​S’kalojnë amendamentet e PDK-së: Përplasje e ashpër Shoshi-Bogujevci, i bashkëngjitet edhe Musliu

Lajme
“AK-47, pesë karikatorë, radiolidhje”, çka konfiskoi policia gjatë një aksioni në veri?

“AK-47, pesë karikatorë, radiolidhje”, çka konfiskoi policia gjatë një aksioni në veri?

Lajme
Operacioni

Operacioni "SIM", prangosen katër të dyshuar në Prishtinë dhe Mitrovicë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori