Rashiq i hapur për bashkëpunim me Kurtin, por nuk përjashton as partitë opozitare
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (PLDM) dhe njëherësh ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se është i gatshëm për bashkëpunim me Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re.
Në një intervistë për RTV21, Rashiq tha se adresa e parë për bisedime do të jetë Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend, por nuk përjashtoi as mundësinë e bashkëpunimit me partitë opozitare, në rast se shterën të gjitha opsionet për formimin e një Qeverie të udhëhequr nga Kurti.
“LVV-ja është partia më e madhe në Kosovë dhe pothuajse i kanë marrë gjysmën e numrit të deputetëve shqiptarë. Kjo është arsyeja pse adresa e parë e imja do të jetë partia më e madhe. Bazuar në përvojën time politike, unë shoh potencial për bashkëpunim edhe më të thellë e më të frytshëm”, tha Rashiq.
Ai shtoi se, për shkak të përvojës së tij mbi 20-vjeçare në politikë, i njeh personalisht shumicën e liderëve politikë dhe nuk e sheh si të papranueshme që, në një moment të caktuar, të diskutojë edhe me ta për mundësinë e bashkëpunimit.
“Çdo takim është analizë dhe nuk do të thotë konfirmim. Por si parti e vogël, ne fillimisht duhet të bisedojmë me partinë që ka autoritetin e parë politik në vend”, u shpreh Rashiq, duke shtuar se gjatë gjithë karrierës ka mbajtur qasje konstruktive dhe nuk ka probleme personale me asnjë prej liderëve politikë në Kosovë.






























