Site icon Telegrafi

Raportimet për tërheqjen e trupave amerikane, “OCTOPUS” i quan propagandë dhe manipulim për të krijuar frikë në Ballkan

Foto: AP

Gazeta gjermane “Bild” së fundmi publikoi një artikull rreth mundësisë së tërheqjes së trupave amerikane nga Evropa, si rrjedhojë e negociatave ShBA-Rusi.

Në këtë kontekst, “Bild” shkruante se një zyrtar i sigurisë së Evropës tha: “Sipas informacioneve tona, bëhet fjalë për kërkesat e (Vladimir) Putinit të vitit 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990”.

E gjithë kjo ndezi përsëri narrativat armiqësore pro-ruse veçanërisht pas negociatave të nisura në Riad.

Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” në një analizë të publikuar së fundmi ka theksuar se portretizimi i ridislokimit të burimeve ushtarake amerikane si një “tërheqje” është një raport i njëanshëm, i synuar për të përhapur frikë dhe shqetësim në publik.

“Pavarësisht nëse motivi i medias është i drejtuar nga një agjendë politike apo një prirje ndaj sensacionalizmit, interpretimi i paralajmërimit të Presidentit Trump se ai do të ulte numrin e trupave me rreth 20,000—për shkak të barrës financiare që nuk duhet të përballohet vetëm nga taksapaguesit amerikanë—duke i nxitur vendet evropiane të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen, është një interpretim i gabuar dhe i pabazuar”, thuhet në njoftim.

“OCTOPUS” ka theksuar tutje se nga takimi Trump-Macron në Shtëpinë e Bardhë nuk dolën asnjë tregues për një tërheqje të trupave amerikane nga kontinenti evropian.

“Aktualisht, SHBA mban rreth 65,000 trupa të përhershme në Evropë, me forca rotative shtesë që e çojnë totalin në rreth 100,000 ushtarë”, thuhet në analizën e këtij instituti.

Lexo po ashtu “Trupat amerikane mund të largohen nga Kosova”, shkruan Bild – mediumi gjerman sjell edhe skenarët e mundshëm për vendet e tjera evropiane

Artikulli i gazetës gjermane “Bild” pati reagime të shumta edhe në Ballkanin Perëndimor, për shkak të implikimeve të tij për Kosovën. “OCTOPUS” thekson se mediat serbe e vendosën të ashtuquajturën “tërheqje” të trupave amerikane nga Kosova në qendër të raportimeve të tyre, pavarësisht se këto spekulime u adresuan menjëherë nga KFOR-i.

“Prania e trupave amerikane brenda KFOR-it ka qenë një faktor vendimtar në ruajtjen e paqes në Kosovë, siç u dëshmua nga roli i tyre në zmbrapsjen e sulmeve të huliganëve serbë në vitin 2023 dhe inkursionit të armatosur në veri të Kosovës në shtator 2024, i cili e detyroi NATO-n të rrisë numrin e trupave. Një tërheqje e mundshme e SHBA-së do të krijonte një vakuum të pushtetit që ekstremistët serbë mund ta interpretonin si një mundësi për të shtyrë përpara ambiciet e tyre territoriale. Në të njëjtën kohë, Serbia, për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë, mund ta shihte këtë ndryshim si një shans për të zgjeruar ndikimin e saj, duke rritur rrezikun e destabilizimit dhe mundësisë së një konflikti në rajon”, thuhet tutje në analizën e “OCTOPUS”.

Instituti ka shtuar se prania ushtarake amerikane në Kosovë përbëhet nga dy kategori: trupa brenda KFOR-it, që operojnë nën strukturën komanduese të NATO-s dhe personel që vepron jashtë kësaj strukture komanduese.

“Kampi Bondsteel, baza më e madhe amerikane në Ballkan, jo vetëm që strehon trupa të KFOR-it, por gjithashtu përfshin personel të inteligjencës, logjistikës dhe bashkëpunimit të sigurisë, të cilët punojnë ngushtë me institucionet e Kosovës. Roli i SHBA-së në transformimin e FSK-së—i dëshmuar nga aprovimi i blerjes së raketave Javelin dhe, më së fundmi, helikopterëve Black Haëk—nënvizon më tej rëndësinë strategjike të Kosovës. Në këtë kontekst, çdo tërheqje e mundshme e forcave amerikane nga Kosova do të krijonte një vakuum të pushtetit që mund të shfrytëzohej nga Rusia dhe aktorë të tjerë armiqësorë. Duke pasur parasysh mbështetjen e Rusisë për Serbinë, një tërheqje e SHBA-së do të zhvendoste ekuilibrin rajonal të pushtetit në favor të interesave ruse në Ballkan”, thuhet në analizë.

“OCTOPUS” ka theksuar se shqetësimet e ngritura nga artikulli i “Blid” ilustrojnë se si informacioni i vjetruar mund të ripërdoret për të ndikuar në perceptimet e reja, në varësi të kontekstit politik.

“Qoftë qëllimisht apo jo, një informacion i tillë mund të shërbejë si një konstrukt strategjik i destinuar për të ndikuar opinionin publik dhe vendimmarrësit shtetërorë”, thuhet në analizën e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version