Hulumtimi i Valicon “Top Brands 2025”: Konsumatorët në Kosovë i besojnë më shumë brendeve vendore

Tregu i Kosovës po karakterizohet nga një kombinim unik i brendeve globale, rajonale dhe vendore, ku këto të fundit po dëshmojnë një konkurrencë të fortë dhe në shumë raste edhe dominim në kategori të caktuara.
Kështu thuhet në një hulumtim të realizuar nga kompania për kërkime të tregut Valicon, e cila ka publikuar renditjen “Top Brands 2025”, bazuar në Fuqinë e Markës (Brand Strength).
Ky vlerësim përfshin njohjen, konsiderimin, përvojën, përdorimin dhe perceptimin e pazëvendësueshmërisë së brendeve.
Sipas raportit, në krye të listës renditet Multisola, një pije me vitamina nga Sllovenia, e ndjekur nga brendi vendor Golden Eagle, i cili ka arritur të tejkalojë disa prej konkurrentëve të mëdhenj globalë në kategorinë e pijeve energjike.
Në mesin e 10 brendeve më të fuqishme për vitin 2025 përfshihen gjithashtu Divella, Vita, Argeta, Ariel, Vipa Chips, Prince Caffe, Vegeta dhe Milka.

Raporti vë në pah rritjen e ndjeshme të brendeve vendore në Kosovë. Produkte si Golden Eagle, Vita, Vipa Chips dhe Rugove jo vetëm që janë të pranishme në treg, por në shumë raste renditen si liderë, duke lënë pas edhe brendet ndërkombëtare në segmentet përkatëse.
Sipas gjetjeve, kategoritë e mesvakteve dhe pijeve shfaqin një qëndrueshmëri të lartë, duke reflektuar një konsum të orientuar drejt produkteve impulsive dhe stilit të jetesës.
Ndërkaq, produktet e qumështit mbeten një bastion i fuqishëm i prodhuesve vendorë, ku besimi i konsumatorëve në freskinë dhe cilësinë lokale luan rol kyç.
Një tjetër veçori e tregut kosovar është pozita e fortë e produkteve bazë ushqimore të importuara, siç është rasti i Divella-s, e cila renditet ndër produktet “e domosdoshme”, duke dëshmuar një kombinim të preferencave lokale dhe ndërkombëtare.
Në tërësi, raporti konstaton se tregu i Kosovës paraqet një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet brendeve vendore, rajonale (kryesisht nga Sllovenia dhe Kroacia) dhe atyre globale, duke e bërë atë një treg dinamik dhe konkurrues.
Valicon, me mbi 25 vjet përvojë në rajonin e Adriatikut, konsiderohet një nga kompanitë më të mëdha të pavarura në fushën e hulumtimit të tregut dhe konsulencës, duke bashkëpunuar me kompani të shumta vendore dhe ndërkombëtare.


















































