Site icon Telegrafi

Rama: Teatri i ri Kombëtar do të hyjë me dinjitet në Evropë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu është përgjigjur kritikëve në lidhje me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, akt ky, i cili çoi në konfrontime fizike mes artistëve dhe Policisë së Shtetit.

Me një shkrim në Facebook, Rama publikon pamjet e Teatrit të Operas e Baletit të Shqipërisë, i cili sipas tij pas rikonstruksionit është shndërruar në një vend të admirueshëm për artdashësit.

“Me këtë provë shembullore të vizionit e ambicies sonë për institucionet kombëtare të artit e të kulturës në Shqipërinë e shekullit XXI, ku shihet fare qartë edhe dallimi i madh mes dy botëve që u përplasën për Teatrin e Ri Kombëtar. Teatri i Operas e Baletit të Shqipërisë që ka nxjerrë yje me famë botërore, sot ka hyrë në Evropë me hapësirën e kushtet e reja dhe skena me sallën e saj nuk është më një vrimë e ftohtë për artistët dhe publikun, po një vatër kënaqësie për krijuesit dhe dashamirët e atij teatri”, shkruan Rama.

Ai shprehet i bindur se Teatri i ri Kombëtar do të marrë identitet evropian, ndërsa shton se ish-godina ishte kthyer në “haur kafshës”.

“Nesër, do të hyjë po kështu në Europë me hijeshi e dinjitet, edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që gjatë tërë jetës së vet nuk ka pasur dot një të ftuar për shkak të kushteve prej hauri kafshësh, ku dhanë shpirt të mëdhenjtë e skenës shqiptare dhe ku publiku s’e pati kurrë dot, dinjitetin e konsumatorit të ushqimit shpirtëror”, thekson Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version