Rahimaj prezanton masterplanin për zonën “Bahçe”: Synojmë një qytet më të gjelbër dhe më modern
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka prezantuar vizionin e ri zhvillimor për zonën e quajtur “Bahçe”, duke bërë të ditur se është hartuar një masterplan që synon transformimin e kësaj hapësire në një zonë moderne, të gjelbër dhe të përshtatshme për jetesë.
Në një njoftim publik, Rahimaj theksoi se ky projekt nuk është vetëm një dokument teknik, por një plan afatgjatë për zhvillimin e qytetit.
“Sot kam kënaqësinë e veçantë të ndaj me ju vizionin tonë të ri për vendin e quajtur ‘Bahçe’. Ky Master Plan nuk është thjesht një dokument teknik, por një premtim për një qytet më të jetueshëm, më të gjelbër dhe më modern për të gjithë ne”, ka deklaruar Rahimaj.
Sipas tij, plani parasheh krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra dhe zonave rekreative për qytetarët.
“Më shumë hapësira të gjelbra: Parqe dhe zona rekreacioni ku fëmijët tanë mund të rriten shëndetshëm dhe të gjithë ne mund të kalojmë kohë kualitative”, ka theksuar ai.
Rahimaj ka bërë të ditur se projekti përfshin edhe zhvillimin e infrastrukturës moderne për lëvizje dhe aktivitete sportive.
“Infrastrukturë moderne: shtigje për ecje, vrapim, shtigje biçikletash dhe lëvizshmëri përbrenda një zone komplet të gjelbër”, ka shtuar ai.
Kryetari i Kamenicës ka theksuar gjithashtu se plani parashikon një zhvillim të balancuar urban dhe mundësi të reja ekonomike për qytetin.
“Zhvillim i balancuar: Ndërtime me rregull që respektojnë krijimin e identitetit të ri të qytetit. Mundësi të reja: Hapësira për biznese dhe turizëm që do të gjallërojnë ekonominë tonë lokale”, ka thënë Rahimaj.
Ai bëri të ditur se masterplani është hartuar pas komunikimeve me qytetarët dhe diskutimeve në tri dëgjime publike.
“Ky plan është hartuar duke pasur në mendje nevojat tuaja dhe komunikimet e vazhdueshme me ju në tri dëgjime publike”, është shprehur Rahimaj.
Sipas tij, projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh dhe do të përfshijë disa atraksione të ndryshme, si kopsht botanik, muze të natyrës, liqen, kullë vrojtuese, shesh të kërpudhave, zonë të bizneseve dhe gastronomisë, hotel, kënde për fëmijë dhe fusha sportive.
“Ne po synojmë të ndërtojmë një qytet ku e djeshmja respektohet dhe e nesërmja mirëpritet me vetëbesim. Ky është hapi ynë i madh drejt një Kamenice që e duam dhe ku krenohemi të jetojmë”, ka përfunduar Rahimaj. /Telegrafi/



























