Qytetarët e Maqedonisë nuk e dinë se çfarë është plani 3-6-9 i reformave qeveritare (Video)

Përderisa nga ana e qeverisë vijnë vlerësime pozitive për implementim të suksesshëm të Planit 3-6-9, qytetarët nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë ky plan. Sipas një “vox pop-i” që realizoi Tv 21, shumica e qytetarëve shprehen se nuk kanë dëgjuar kurrë për një plan të tillë.
Anketë qytetare:
“Jo, nuk e di.”
“Jo, me të vërtetë nuk e di. Do të kisha dashur ta di por..”
“Asgjë, asgjë. As nuk e di, as nuk e kuptoj. Nuk më intereson.”
“Përafërsisht e di, duhet të bëhen reforma në gjyqësor dhe sistemin e drejtësisë. Mendoj se 3-6-9 është për këto gjëra. Sa mendoni se do të jetë i suksesshëm? Aspak, nuk është duke lëvizur asgjë dhe as që ka shanca të ndryshojë diçka. Nuk ka shanca teorike të ndryshojë diçka në sistemin e drejtësisë”.
“Kam dëgjuar për të, por se çka do të thotë nuk e di. Nuk e kam idenë se kjo qeveri çka është duke bërë.”
“Nuk e di, un jam penzioner dhe nuk më intereson kjo gjë. Jo”, u shprehën disa qytetarë.
Ky vlerësim i qytetarëve vjen pas disa deklaratave të kryeministrit Zaev por edhe zv.kryeministri Osmani i cili në vazhdimësi është shprehur optimist për implementimin e sukseshëm të këtij plani.
“Pjesa 6 dhe 9 e cila u grupua në një pako reformash përfshin periudhën nga përfundimi i zgjedhjeve lokale deri te publikimi i raportit të rregullt të Komisionit Evropian që do të thotë në prill të vitit 2018. Ne jemi tani në fund të shkurtit që do të thotë se jemi 2 muaj para përfundimit të ciklit të realizimit të pjesës 6 dhe 9. Do të thotë kemi edhe 2 muaj afat për të realizuar masat”, theksoi Bujar Osmani, Zv.kryeministër për Çështje Evropiane (24.02.2018).
Ndërkaq, Instituti për Demokraci “Societas Civillis” vlerëson se ka përmirësime në reformat që duhet të sjellë plani 3-6-9. Por Zoran Neçev, hulumtues dhe udhëheqës i qendrës për eurointegrime, theksoi se pjesa e dytë e planit vende-vende është përkeqësuar.
“Ndërsa në raport me disa segmente të caktuara transparenca është zvogëluar sepse ende nuk është publikuar raporti faktografik, përderisa për pjesën 3, qeveria publikoi një gjë të tillë”, tha Zoran Neçev, hulumtues dhe udhëheqës i Qendrës për Eurointegrime.
Sipas statistikave, pjesa dytë e planit 3-6-9 shënon status më të lartë të realizimit nga pjesa e parë. Nga gjithsej 31 aktivitete 52% janë përmbushur. Duke marrë parasysh se plani është në muajin e dhjetë të realizimit, si pozitive nga instituti vlerësohet edhe riemërimi i planit duke i shtuar një plus në fund që nënkupton vazhdimin e kohës për realizim./TV21/





















































